Një 41-vjeçar nga Vlora është identifikuar si një nga ekzekutorët e Gentjan Bejtjes, ngjarje e ndodhur në Mars të këtij viti. Për këtë arsye, policia njoftoi se ka shpallur në kërkim Florian Plakun. Policia ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg që në Korrik, por Plaku nuk është mundur të kapet.
Po ashtu, autoritetet njoftojnë se në kuadër të hetimeve kanë ushtruar kontroll edhe në ambientet e një agjencie udhëtimesh në qytetin e Lezhës. Ata kanë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë, që sipas tyre, do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Në lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjes janë arrestuar më herët Edison Haxhiu (për sigurim kushtesh për vrasje) dhe Ilir Beqaraj. Për Beqarajn, i cili përdor edhe dy emra të tjerë është rikualifikuar vepra penale. Atij i është shtuar vepra penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Gentjan Bejtja u vra më 15 Mars 2024 në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushkë të Krujës. Autorët iu afruan tek shtëpia me një makinë “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë.