-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ben Blushi: Dashuria e Vuçiç për armët që nuk i përdor dot

Kryesoret

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, gjithmonë e më shumë i ngjan një gjuetari që blen armë të shtrenjta duke e ditur që nuk do t’i përdorë dot. Njëlloj si një gjuetar amator, ai i ekspozon armët në murin e shtëpisë dhe ua tregon miqve gjithë ngazëllim. Në këtë mënyrë, ai beson se fjala në fshat është hapur dhe kaq mjafton që komshinjtë të tremben.

Ndoshta edhe për kaq pak çmimi ja ka vlejtur. Të gjithë flasin për armët e reja dhe gjuetari kënaqet se shtëpia e tij është e mbrojtur, aty askush nuk do afrohet dhe të tjerët do jetojnë me frikën se me këto armë ai është bërë njeriu më i fortë në fshat.

Duke menduar si gjuetar, Aleksandër Vuçiç bleu këto ditë, 12 avionë luftarakë francezë Rafale për 3 miliardë dollarë, një shifër sa dyfishi i buxhetit të tij vjetor të ushtrisë.

Nëse shumica e buxhetit prej 1.5 miliardë dollarë në vit shkon për paga, ushqime, armatime të lehta si dhe për të mbajtur të vajisur makinën e tij të luftës, kuptohet se sa të vështirë do ta ketë Serbia ta paguajë për disa vjet, faturën e lartë të avionëve francezë të cilët do t’i dorëzohen pas pesë vitesh, pra vetëm në vitin 2029.

Kjo do të thotë se Serbia do ta paguajë për pesë, deri në dhjetë vjet, faturën e avionëve luftarakë.

Nëse francezët janë treguar të mëshirshëm dhe pranojnë të paguhen për dhjetë vjet, atëherë Serbia duhet të harxhojë çdo vit 300 milion dollarë ose një të pestën e buxhetit vjetor, por nëse e paguan për pesë vite, deri në 2029 kur i dorëzohen avionët, atëherë i duhen 600 milionë dollarë cdo vit, që do të thotë afro 40 për qind të buxhetit vjetor të luftës ta çojë në Francë.

Në të dyja rastet stërmundimi financiar i Serbisë është shumë i madh. Siç thonë ekonomistët, buxheti i saj është gati të griset. Ndoshta ushtarëve serbë do t’u kufizohen ushqimet dhe rrobat në dimër, makinave do t’u shkurtohen lëvizjet dhe armatimet e lehta do numërohen me kujdes.

Atëherë për çfarë e bëri Serbia këtë sakrificë financiare?

Cilësia e avionëve francezë, çmimi, si dhe dhe data e dorëzimit shpjegojnë lëvizjen e Aleksandër Vuçiç, e cila është diplomatike më shumë se ushtarake.

Si lëvizje diplomatike ndoshta është e zgjuar, si manovër ushtarake nuk ka shumë vlerë.

Aleksandër Vuçiç zgjodhi t’i blejë avionët luftarakë në Francë dhe jo diku tjetër sepse për këtë shkak, Franca pranoi të bllokojë anëtarsimin e Kosovës në Këshilin e Evropës. Megjithëse asambleja e këtij Këshilli, përfshi edhe deputetët francezë, votoi me shumicë absolute votash pro Kosovës, Franca e bllokoi për një datë të panjohur antarësimin duke bindur edhe Gjermaninë dhe Italinë.

Një ditë pas ketij votimi, si një gjuetar që kishte humbur rrugën, Aleksandër Vuçiç shkoi në Paris, u mbyll tre orë në zyrë me Emanuel Macron dhe kur doli, e kishte fytyrën të qeshur por xhepat bosh. Sapo kishte dalë nga dyqani më i shtrenjtë i botës. Siç vepron me rrobat dhe parfumet Franca vepron dhe me armët. Ajo shet vetëm mallra lluksi.

Avionet Rafale janë lluksi i avionëve luftarakë.

Një Rafale bën pothuajse gjithshka : ai rrëzon avionë armiq, shkatërron anije në det, sulmon në tokë dhe konsiderohet si një nga shpendët më të fortë dhe më grabitqarë të ajrit. Në listën e dhjetë avionëve të ngjashëm, që prodhohen nga Kina deri në Suedi e Amerikë, Rafale mban vendin e dytë më të shtrentë. Një Rafele kushton mbi 115 milion dollarë, ndërsa një F16 amerikan, afro 60 milion apo gati gjysma.

Pra, megjithëse në vitrinën militare të botës kishte armë më të lira, që mund t’ia plotësonin gjuetarit nevojën për të trembur komshinjtë, Aleksandër Vuçiç zgjodhi Francën.

Në këtë mënyrë ai nuk bleu armë por bleu mbështetjen e Francës dhe deri diku edhe të Evropës që rreshtohet pas saj.

Pasi mori 3 miliardë dollarë, Macron tha dje në Beograd se Franca do jetë mbrojtësja më e madhe e të drejtave të serbëve në Kosovë. Macron nuk foli fare për Bosnjen dhe as për serbët aty. Që do të thotë se Kosova, ose të paktën edhe Kosova ishte arsyeja që Serbia pagoi kaq shtrenjtë.

Duket për të qeshur, por ndoshta ngujimi katër mujor i shqiptarit Lulzim Hetemi në zyrën e një komune serbe në Leposaviq të Kosovës ia ka rritur çmimin avionëve ushtarakë. Sikur kokëfortësia provinciale e Lulzim Hetemit të kishte mbaruar më herët, atëherë kur Franca dhe gjithë Evropa i bënin thirrje të dilte jashtë e të shkonte në shtëpi, ndoshta Aleksandër Vuçiç do kishte paguar më pak.

Është njëlloj sikur gjuetari të blejë armë më të shtrenjta nga frika se një lepur i ka hyrë pa leje në shtëpi.

Kjo do të thotë se aventurat e Kosovës në Veri, e kanë një të mirë : ato shtojnë shpenzimet e lluksit në buxhetin e Serbisë.

Ky ngushëllim nuk justifikon çdo lëvizje të Kosovës në veri dhe nuk është arsye për të vazhduar, por siç ka arsye të frikësohesh kur armiku harxhon shumë, ka arsye të qeshësh kur ai harxhon kot.

Para Serbisë, në Ballkan, vetëm Kroacia dhe Greqia kishin blerë avionë kaq të shtrenjtë. Por Kroacia që ka një buxhet lufte të ngjashëm me Serbinë, afro 1.4 miliardë dollarë, bleu avionë francezë të përdorur dhe harxhoi gati 1 miiardë, pra tre herë më pak. Ndërsa Greqia, që ka një buxhet lufte shtatë herë më të madh se Serbia 8.2 miliardë, harxhoi 2,5 miiliardë për flotën e vet Rafale.

Por nuk është gara ushtarake me Greqinë apo me Kroacinë e vetmja arsye pse Aleksandër Vuçiç bleu avionët Rafale.

Pyetja atëherë nuk është vetëm pse i bleu por a i përdor dot Aleksandër Vuçiç këta avionë specialë ?

Nëse shikon hartën e Serbisë, të gjitha vendet me të cilat ajo kufizohet, janë antare të NATOs. Hungaria, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, dhe Shqipëria pak më larg, janë antarësuar prej vitesh në aleancë dhe natyrisht Serbia nuk mund të përdorë armët kundër asnjë shteti antar të NATOs. Mund ta imagjinoj sesi Emanuel Macron, njëlloj si ai shitësi i vjetër, i ka thënë Alëksandër Vuçiç se armët që po blen janë perfekte por ato kanë vetëm një defekt : nuk përdoren dot kundër komshinjve.

Kjo është arsyeja pse gjuetari fle mirë shpeshherë, por jo përherë. Ai i di defektet e armëve lluksoze që ka blerë. Ato nuk i përdor dot jashtë oborrit të shtëpisë sepse kjo nuk i lejohet nga shitësi.

Atehërë nëse nuk i përdor dot kundër asnjë vendi fqinj, sepse jo vetëm nuk ka arsye, por ska as mundësi, kush është vendi ku mendon se mund t’i përdorë ?

I bije të jetë Kosova.

Kosova nuk është antare e NATOS, nuk mbrohet dot vetë, sepse nuk ka armë të këtij kalibri dhe është një territor i diskutueshëm që Serbia nuk pranon ta njohë.

Jam i bindur se Aleksandër Vuçiç ëndërrron gjithë natën të sulmojë Kosovën me Rafale, por ai e di se kjo është pothuajse e pamundur. As kjo nuk i lejohet.

Çfarëdo drejtimi të marrë çështja e Kosovës, çfarëdo fuqije kushtetuese dhe juridike të fitojnë serbët në veri, as Franca dhe aq më pak gjithë Bashkësia Ndërkombëtare nuk do lejonin kurrë që Kosova të kthehej aty ku ishte : në Serbi. Prandaj Aleksandër Vuçiç me 3 miliardë dollarë ka blerë kohën por jo avionët ushtarakë, të cilët do t’i mbajë përjetësisht në depo.

Aleksandër Vuçiç, që për hir të së vërtetës, ka arritur ta nxjerrë Serbinë nga gropa e luftës dhe izolimit ekonomik të viteve 1990, ka vetëm një siklet të cilin e tregon shpesh duke rënkuar në publik.

Ai nuk pranon dot të hyjë në histori si Presidenti që firmosi ikjen e Kosovës. Ai do ta shtyjë këtë datë mundësisht pas vdekjes së tij. Kjo është ëndrra e tij më e keqe. Ai refuzon të hyjë në historinë e Serbisë si një tradhtar. Si njeriu që shiti Kosovën për të hyrë në Evropë, sepse ky është çmimi që i është vënë përpara. Kur e mendon këtë është gati të bëjë gjithshka, përfshi blerjen e armëve që nuk do i përdorë dot kurrë, siç po bën.

Aleksandër Vuçiç i ngjan një njeriu që po shet gjithë pasuritë e shtëpisë për të mos firmosur një kontratë me komshiun. Një muaj më parë i dha Gjermanisë pasurinë më të madhe të vendit, litiumin. Kosova jashtë Serbisë po i kushton më shumë se kur ishte brenda. Megjithatë ai do ta paguajë këtë çmim dhe do paguajë edhe më tepër në të ardhmen, sepse kërkon të blejë kohën.

Ose më saktë shtyrjen e kohës.

Rafalet do vijnë në Serbi, atëherë kur atij mos i duhen më. Në vitin 2029. Deri atëherë nuk do i përdori dot askund, aq më pak në Kosovë. Por në deri në vitin 2029, bota dhe Ballkani mund të mos jenë ato që janë sot. Macron nuk do jetë më në pushtet, lufta në Ukrainë mund të ketë mbaruar dhe Amerika mund të ketë ndryshuar pikëpamje për botën.

Në vitin 2029, vetë Aleksandër Vuçiç mund të mos jetë më në pushtet. Ai mund të ketë ikur nga puna si njeriu që harxhoi më shumë për luftën por nuk bëri dot asnjë luftë. Ai sot është më i dobët se kurrë. Atij iu desh të trukonte zgjedhjet në Bashkinë e Beogradit, duke sjellë 40 mijë votues nga Bosnja. Kuotat elektorale janë të brishta dhe është e vështirë të parashikosh cfarë ndodh me të pesë vite me vonë, kur Rafalet të fluturojnë mbi Beograd si një letër dashurije.

Si një letër dashurije që mbërrin me vonesë, atëherë kur dashuria ka mbaruar.

Prandaj gjuetari hap letrat dhe kujton me mall, se dikur, në rininë e tij bleu disa armë të shtrenjta, të parfumosura dhe të shkëlqyeshme, të cilat erdhën atëherë kur nuk iu deshën më.

Për të kënaqur sytë dhe vizitorët, i ka vendosur mbi oxhakun e shtëpisë, aty ku tani po ngrohet duke lexuar letrat e vjetra të cilat të gjitha mbarojnë me dedikimin mallëngjyes:

FROM PARIS WITH LOVE

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit