Liridon Rexhepi, i cili dyshohet si kreu i rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT), u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Stambollit, ka raportuar Anadolu Agency. Sipas kësaj medie, Rexhepi ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi.
Rexhepi, për të cilin është përcaktuar se ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës, mësohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.
MIT ka përcaktuar se të gjitha lëvizjet e Rexhepit, veçanërisht lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, janë monitoruar dhe ai ka bërë transfere të shumta parash për personelin në terren në Turqi nëpërmjet Western Union.
Aktivitetet e tij thuhet se janë monitoruar nga 25 gushti kur ai ka hyrë në Turqi. Lidhur me arrestimin e Rexhepit në Turqi ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo në një konferencë për media konfirmoi se lidhur me rastin Turqia ka dërguar pyetje me shkrim, gjersa shtoi se bashkëpunimi juridik me këtë shtet është shumë i mirë.
Pas arrestimit të shtetasit të Kosovë, ka reaguar edhe familja e tij. Arianit Koci, avokat i autorizuar i Liridon Rexhepit ka publikuar reagimin e familjes së Rexhepit, e cila është e bindur se familjari i tyre është i pafajshëm.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se arrestimi i kosovarit Liridon Rexhepi në Turqi, i cili dyshohet për menaxhimin e rrjetit financiar të Mossad-it, është një trillim që synon të dëmtojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit.