-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

‘Jemi të vetëdijshëm për rreziqet’/ Kosova ndjek SHBA në Gazë

Kryesoret

Në Gazë – një nga zonat më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme në botë – Kosova po hyn për herë të parë në një mision ndërkombëtar stabilizues, të mandatuar nga Kombet e Bashkuara.

Ushtarët e saj po vendosen në një terren, ku kufiri mes kontrollit dhe kaosit është i paqartë.

Në këto kushte, Kosova afrohet më shumë me skenën globale, por, njëkohësisht, edhe me rreziqet që e shoqërojnë atë.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Ajo parashihet si një forcë shumëkombëshe, që do të vendoset në këtë enklavë për të trajnuar policinë, për të ndihmuar në sigurimin e kufijve dhe ruajtjen e rendit, si dhe për të mbështetur çmilitarizimin e territorit nga Hamasi.

Ky grup palestinez, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera, kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe e ndezi luftën me sulmin e tij masiv në territorin izraelit në tetor të vitit 2023.

Ai sinjalizon gatishmëri për të hequr dorë nga qeverisja e Gazës, por jo edhe nga armët, ndërsa Trump e mban të prerë qëndrimin e tij.

“Nëse Hamasi nuk e bën atë që ka thënë, nëse nuk sillet siç duhet, atëherë do të përballet me një problem të madh – një problem vërtet të madh, që nuk e ka përjetuar kurrë më parë”, është zotuar presidenti amerikan.

Përbërja e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është përcaktuar ende plotësisht, por, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – njoftoi qysh në fund të janarit se Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Më pak se tre muaj më vonë, Kuvendi i Kosovës e miratoi dërgimin e saj në këtë zonë konflikti dhe, fundjavën e kaluar, u bë e ditur se një ekip ushtarësh është dërguar tashmë atje, për të bërë vlerësimin e vendit ku do të veprojë si pjesë e misionit paqeruajtës.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tani në detyrë, e paraqet këtë si një moment kthese për shtetin e Kosovës.

“Është hera e parë që Kosova është pjesë e një misioni të mandatuar nga OKB-ja. Kjo tregon edhe besimin që kanë partnerët tanë në kapacitetet tona ushtarake, për të ofruar mbështetje në një zonë me ndjeshmëri të lartë, siç është Lindja e Mesme”, thotë Maqedonci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Përfshirja e FSK-së në këtë mision nuk është e rastësishme.

Maqedonci shpjegon se që nga fundi i vitit të kaluar, Kosova ka qenë pjesë e përgatitjeve për krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara. Madje, një oficer amerikan ndërlidhës është i përfshirë drejtpërdrejt edhe në FSK.

“Pra, shkuarja e ekipit tonë në Gazë është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti me komandën e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila do ta drejtojë gjithë operacionin në Lindjen e Mesme”, thekson ministri.

Sipas planeve, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës për verifikim të gjendjes do të qëndronte disa ditë në Gazë dhe më pas do të hartonte një raport. Nuk është ende e qartë se kur do të dislokohen kontingjentet e para, por, sipas disa raportimeve, kjo mund të ndodhë në muajin maj.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Departamenti i Luftës në SHBA, por nuk mori përgjigje.

Maqedonci, për arsye sigurie, thotë se nuk mund të japë shumë detaje, por konfirmon se kontingjenti i parë kosovar do të përbëhet nga 22 pjesëtarë. Sipas tij, ata do t’i nënshtrohen rotacionit deri në fund të vitit 2027, kur edhe pritet të përfundojë misioni i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Normalisht, ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet kontingjenti ynë, por po bëjmë gjithçka të mundur për t’i zbutur këto rreziqe, për të krijuar kushte logjistike, në mënyrë që kontingjenti i FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të arrijë të performojë në mënyrë profesionale dhe të ofrojë mbështetje për Gazën”, thotë Maqedonci.

Khaled Elgindy, ekspert i Lindjes së Mesme, argumenton se në një konflikt si Gaza – i rrënjosur në një histori të gjatë përplasjesh dhe luftërash të përsëritura – Forca Ndërkombëtare Stabilizuese përballet me dy rreziqe kryesore: të përfshihet drejtpërdrejt në luftime, ose të përdoret – për shkak të pabarazisë së theksuar të fuqisë – si mjet për të avancuar agjendën e sigurisë së Izraelit, në vend që t’i mbrojë realisht palestinezët.

“Ajo nuk mund të ndahet nga konteksti politik. Hamasi është një lëvizje rezistence dhe do të përpiqet të mos i dorëzojë të gjitha armët. Popullsia, në anën tjetër, është jashtëzakonisht e cenueshme. Kemi parë se çfarë ka bërë ushtria izraelite në Gazë – atë që shumë ekspertë e konsiderojnë gjenocid. Prandaj, si mund të veprohet në një mjedis, ku një lëvizje ushtarake si Hamasi, ashtu edhe popullsia, në përgjithësi, besojnë se po përballen me një rrezik ekzistencial?”, thotë Elgindy për Exposenë./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit