Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar sot nxënësit, prindërit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor, por ka kritikuar ashpër gjendjen e arsimit në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha tha: Viti i ri shkollor 2024-2025 e gjen Shqipërinë të zbrazur si asnjëherë më parë,” duke theksuar se numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm, me 350 mijë nxënës këtë vit krahasuar me 610 mijë 11 vite më parë.
Ai gjithashtu kritikoi kushtet e shkollave dhe pagat e mësuesve, duke e quajtur sistemin arsimor në Shqipëri “në gjendje të rëndë.” Berisha theksoi se “më shumë se 730 shkolla janë mbyllur dhe 90% e shkollave janë pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.”
Ai përfundoi duke ftuar nxënësit, prindërit dhe mësuesit në protesta kundër qeverisë, duke e quajtur këtë regjimi që po shkatërron sistemin arsimor dhe po zbraz Shqipërinë.









