Gjykata e Apelit Penal të Selanikut dënoi me burgim të përjetshëm dhe dënim shtesë të përkohshme nga 8 deri në 15 vjet, pesë shqiptarë të cilët u arrestuan në shtator të 2023 me 585 kg kokainë.
Gjykata dënoi Arjan Xhafaj 51 vjeç, i cili punonte si zjarrfikës në Fier, gruaj e tij Lutmira Xhafaj 43 vjeç, dy nipat e tij Klevis Musakaj 22 vjeç dhe Avelino Feimi 34 vjeç, dhe 36-vjeçari Ilirjan Baraj.
Të gjithë të dënuarit janë shqiptarë, përveç 36-vjeçarit, i cili ka edhe nënshtetësi greke.
43-vjeçarja ka mohuar akuzat, ndërsa të tjerët në kërkimin e faljes rrëfyen përfshirjen e tyre, por theksuan se menduan se në pakot kishte hashash. Gjithashtu ata deklaruan se ishin transportues të thjeshtë dhe se drogën do ta linin të “mbyllur” në dy shtëpi, ku do ta merrte një person tjetër, i cili nuk bëhet i ditur.
“Nëse do ta dija se ishte kokainë, do të isha larguar. Mendova se ishte hashash”, tha 51-vjeçari Arjan Xhafaj, të cilit aktakuza i caktoi një rol “të spikatur”.
Ai deklaroi se kishte punuar për 18 vjet si zjarrfikës në Shqipëri dhe se të bashkëakuzuarit do të merrnin 10 mijë euro si tarifë dhe ai vetë një tarifë më të madhe pas dorëzimit të drogës.









