-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Një vend pa histori, sado modern të jetë është si çiban

Kryesoret

Gjatë qëndrimit si diplomat jashtë vendit, nga fundi i viteve ‘90 e deri tani vonë, më bënte përshtypja mënyra realiste dhe pozitive e trajtimit të ish-krerëve të partive, shtetit dhe qeverive të ndryshme me të mirat, por edhe dritëhijet e tyre. Në nëntor 2004 isha ftuar në një veprimtari kushtuar Aleksander Dubçek, ish-President i Çekosllovakisë në vitet ‘60, i cili u burgos nga sovjetikët mbas pushtimit të atij vendi në shtator 1968. Në vitin 1990 u rehabilitua dhe u zgjodh kryetar i Parlamentit të Çekosllovakisë, por më 7 nëntor 1994 vdiq si pasojë e plagëve të marra gjatë një aksidenti me makinë.

Atje mësova se ai ishte socialdemokrat i shquar, ndaj dhe kujtimin e tij e nderuan liderë të lartë social-demokratë gjermanë. M’u kujtua koha në regjimin monist kur e kishim demaskuar Dubçekun, madje një grup polifonik nga jugu e stigmatizonte dhe në një këngë popullore të njohur. Ndërkohë, në SHBA la mbresa kudo nderimi i madh që iu bë mbas vdekjes ish-Presidentit Nikson, i cili siç dihet, u dorëhoq mbas skandalit të “Watergate”. Mirënjohja e shprehur dhe nga Klintoni në fjalën në ceremoninë mortore ishte mbresëlënëse, duke e konsideruar president të madh, falë meritave të tij në ndalimin e luftës në Vietnam dhe hapjen me Kinën e Mao Ce Dunit më 1972 etj.. Për të ardhur te rasti më i freskët, ishKancelari gjerman Gerhard Schroder, që vazhdon të shënjestrohet për miqësinë personale me Putinin dhe si ish-shef i bordit të Gaspromit. Puna arriti deri në propozime për përjashtimin e tij nga SPD-ja ku ai militon prej 6 dekadash, por mbas shumë procedurash, ai mbeti në SPD.

Pavarësisht nga kritikat e ashpra ngado, Schroderin e ftojnë në shumë veprimtari dhe në 80 Vjetorin e tij ishin të gjithë krerët e shtetit dhe qeverisë gjermane. Si shpjegohet ky qëndrim? Thjesht fare, se askush nuk mund të mohojë rolin e tij në modernizimin e Gjermanisë dhe socialdemokracisë atje sidomos në fitoren e saj mbas plot 16 vitesh mbi Kohlin e madh më 1998. Qortohet për Putinin dhe aq. Raste të kësaj natyre tregojnë frymën perëndimore në trajtimin e figurave dhe liderëve të shquar, edhe pse krahas gjurmëve pozitive, ata kanë bërë dhe gabime me kosto jo të vogla. Jo “bardhë e zi”, por duke vlerësuar të mirat dhe arritjet pa fshehur rezerva dhe kritika të argumentuara; veçse përherë duke pasur parasysh dhe kornizën politike dhe historike të periudhës kur ushtruan veprimtarinë e tyre.

Kësisoj, me gjithë komentet, kritikat dhe rivlerësimet, nuk hidhet poshtë, nuk nxihet dhe as demonizohet as historia e atyre vendeve. Ajo thjesht ripërtërihet me fakte të reja në të dyja krahët, duke i nderuar liderët, por edhe duke ua përmendur publikisht gabimet dhe dështimet, si pjesë e jetës dhe historisë së vendit të tyre. Mirëpo, krejt e kundërta ka ndodhur në vendin tonë, ku dukuritë demonizuese “bardhë e zi” të së kaluarës moniste po përsëriten me tone edhe më të ashpra. Dihet tashmë se si regjimi monist denigroi, dënoi dhe nxiu të gjithë krerët e shtetit të periudhës së Zogut, qeveritarë, intelektualë, artistë, shkrimtarë, përfshirë këtu dhe disa aspekte dhe gjëra të mira publike që ata bënë. U fshinë nga historia shumë firmëtarë të aktit të pavarësisë, bashkëpunëtorë të Ismail Qemalit dhe patriotë deri tek At Gjergj Fishta me gjithë veprimtarinë e pasur patriotike, vetëm për një incident apo qoftë dhe gabime pa dashje në sjelljen e tyre në ato periudha të koklavitura, duke mohuar ndihmesën e tyre të dukshme për historinë, artin, kulturën dhe qeverisjen e vendit. Ç’është më e rënda, ata dhe familjet e tyre u pushkatuan, burgosën dhe internuan në burgje, kampe pune me shumë histori rrënqethëse. Mirëpo edhe pas viteve ‘90, puna filloi keq nga qeveria demokratike, duke damkosur pa asnjë faj shumë prej atyre që kishin shërbyer thjesht pastrues në periudhën e diktaturës, me përjashtim të një segmenti fanatikësh komunistë që u “erdhën mbas midesë”.

Dhe autori i këtyre radhëve ishte ndër ata mijëra nëpunës administrate të trajnuar jashtë vendit dhe me grada shkencore, që u hoqën pa të drejtë nga puna, në bazë të Nenit 24/1, një njollë e zezë në demokracinë tonë! Praktika të tilla janë përshkallëzuar në të gjitha format dhe gjatë viteve të fundit, të nxitura nga lloj-lloj analistësh, ekspertësh dhe komentuesish të sponsorizuar që “kanë mbirë kudo si kërpudhat”. Në vend të një analize dhe vlerësimi të drejtë dhe shterues mbizotëron kriminalizimi, sulmet verbale dhe akuza nga jashtë burimeve të drejtësisë që çuditërisht vetëm te ne lejohet të flasin mbarë e mbrapsht, se kudo gjetkë do të ndëshkoheshin e pakta për shpifje!

Ky nihilizëm dhe negativizëm kriminalizues po ndodh edhe me vlerësimin e liderëve të sotëm të opozitës dhe ish-pushtetarë të djeshëm. Pa kurrfarë analize të veprimtarisë së tyre, kontekstit historik të kohës, duke përfshirë edhe qëndrime të gabuara, kalohet si pa të keq në teprime, shpifje, sajesa, demonizim, akuza, aktpadi nga të vetëshpallur prokurorë me të dhëna që nuk dihet se si dhe nga i marrin, një sfidë e vërtetë për shtetin e të drejtës. Kjo nuk ndodh askund në Perëndim! Meraku këtu nuk është më shumë te fati i liderëve, as mbrojtja apo justifikimi i gabimeve apo dhe krimeve të mundshmet, por te pasojat dhe rreziqet e një veprimi të tillë në cenimin dhe deri nxirjen e historisë së pluralizmit politik në vendin tonë, që ajo të mos pësojë fatin e shtrembërimeve si gjatë 100 viteve të shkuara. Ndryshe do të mbetemi me histori të gjymtuar dhe përçudnuar, edhe pse historianët tanë të shquar po punojnë për ndriçimin e shumë aspekteve themelore, puna e tyre sfidohet nga prokurorët dhe historianët “popullorë”.

Për pasojë, tani ka tendenca të hidhet poshtë edhe viti 1990 i studentëve; mirëpo, kur humbet besimi për liderët e 1990, si mund të ketë besim te më të rinjtë, që veç librave dhe citateve, pothuajse nuk e njohin jetën praktike politike dhe zgjedhore dhe ca më pak qeverisjen? Le ta ilustrojmë këtë ide pa asnjë tabu me rastet më tipike. Dihet tashmë roli i ishpresidentit dhe ish–kryeministrit Berisha në 34 vitet e pluralizmit demokratik si në pushtet, edhe në opozitë, me të mirat dhe të këqijat e veta madje tragjike. Ajo çka nuk është e drejtë është kalimi nga glorifikimi tri dekada më parë, te mohimi i gjithçkaje që është realizuar në qeverisjen e tij. Kjo nisur nga shpallja “non–grata” dhe disa akuza që janë ngritur, por deri tani pa asnjë rezultat. Pa asnjë paragjykim, ku i dihet, nesër, drejtësia mund ta shpallë atë edhe fajtor, por prapë kjo nuk do të thotë të zerohet gjithë veprimtaria e tij, roli i tij në hapjen e vendit, vendosjen e pluralizmit politik, anëtarësimi në KiE, OSBE dhe sidomos në NATO, liberalizimi i vizave më BE-në, vizita e Presidentit të parë dhe të vetëm amerikan në detyrë në Tiranë më 2007 e të tjera.

Ashtu sikurse do të përmenden edhe gabimet e pafalshme politike të tij në vitet ’90, por edhe më vonë, stili i drejtimit, dritëhijet e aferave të ndryshme e sidomos kriza e piramidave më 1997. Por nuk do harruar fakti se për këto dështime, politikisht ai e ka paguar çmimin, duke mos e votuar PD-në as më 1997 dhe as më 2013. Në këto kushte nuk tingëllon mirë dhe retushimi i fotove të tij në raste përvjetorësh, çuditërisht edhe nga ambasada amerikane, çka na rikujton praktikat moniste. Dhe më shumë vazhdon të demonizohet Ilir Meta. Absurdi shkon deri atje sa të mohohet çdo kontribut i tij i hershëm për PS-në në vitet ‘90, si ministër dhe si kryeministër për dy vjet. Madje, duke dhënë idenë se PS-ja nuk la post pa e shpërblyer atë. Mirëpo ne që e kemi jetuar atë periudhë aktivisht edhe brenda PS-së, e njohim të vërtetën krejt ndryshe. Krahas nënkryetarëve të tjerë të nderuar në vitet ‘90, prof. Servet Pëllumbi, Namik Dokle, i ndjeri Luan Hajdaraga dhe sekretari i saj i përgjithshëm Gramoz Ruçi, roli i Metës ishte përcaktues në frontin e jashtëm, aty ku ishin dhe pengesat më të mëdha për PS-në. Kam qenë dëshmitar si i zgjedhur në forumet e saj, se në fillimin e viteve ‘90, PS-në e njihnin shumë pak parti “motra” perëndimore, me përjashtim të PASOKUT, PS-së italiane e ndonjë partie tjetër lindore si Bullgaria, kjo për shkak të imazhit jo të mirë dhe si vazhduese e PPSH-së.

Ishte pika më delikate e PS-së asaj kohe. Pa e zgjatur, ishte mençuria e Nanos që nga burgu e emëroi Metën 23-vjeçar shef të Marrëdhënieve me Jashtë dhe nënkryetar të PSSH-së. Falë disa hapave dhe nismave të tij energjike, perceptimi publik dhe ndërkombëtar i PSSH-së filloi të ndryshojë derisa u njoh nga PSE-ja më 1995 dhe IS më vonë. Më 1997 Meta u zgjodh thjesht sekretar shteti mbas pajtimit të dy palëve në PS. Mbas rebelimit të armatosur më 1998, ai u zgjodh zv.kryeministër dhe një vit më vonë, meqenëse Majko që donte të mbante postin e liderit të PS-së dhe të Kryeministrit humbi përballë Nanos; kësisoj, kryeministër u zgjodh si kandidatura më e përshtatshme nga çdo anë Meta. Me një bilanc të suksesshëm qeverisjeje, por nuk e lanë se demek ishte rritur korrupsioni, i cili dihet se lulëzoi më shumë mbas tij.

Më 2014, LSI hyri në koalicion me PS-në, e cila në atë periudhë e kishte të pamundur të fitonte e vetme dhe Meta u caktua kryetar Kuvendi ku ai përballoi sfida të shumta, mbi të gjitha miratimin konsensual të Reformës së Drejtësisë. Më 2017, Rama ndoshta me llogaritë për ta nxjerrë në “pension” politik Metën e cakton atë President me meritë, siç ka pohuar vetë, ndërsa Meta bëri gabimin më të madh politik, duke pranuar “kostumin presidencial”, që vërtet i “rrinte ngushtë”. I përmendëm këto fakte të pakundërshtueshme vetëm për të treguar se Meta nuk i ka dhurata apo shpërblime postet e larta, si disa të tjerë, të cilët u kooptuan dhe katapultuan “si ustallarë” në PS dhe në qeveri, por i ka merituar me jetën dhe karrierën e vet politike dhe partiake.

Tjetër gjë problemet dhe defektet gjatë ushtrimit të detyrës, për to le të diskutojmë. Por, pa nxirë gjithçka e duke parë dhe veprimet e palës tjetër. Por, ndërkohë, kritikët duhet të përmendin dhe se ai ka kundërshtuar shumë ligje të dyshueshme, kundërshtoi emërimin e një outsideri anonim si ministër të Jashtëm, i cili është zhdukur “pa nam dhe pa nishan” dhe në shumë raste të tjera. Sa për akuzat dhe hamendësimet për vepra penale, për të cilat ka gati 25 vjet që flitet dhe ai ka qenë i hapur vazhdimisht, drejtësia le t’i hetojë dhe nëse vërtetohen, ai do të dalë përpara saj. Por edhe në rastin më të keq, të fajësisë, nuk do të thotë që Metës t’i mohohen puna dhe ndihmesa e tij e lartpërmendur. Sepse edhe vetë historia e PS-së dhe e qeverisjes së vendit nuk mund të kuptohet dhe shpjegohet pa rolin e spikatur të Metës, me të mirat dhe dritëhijet e veta. Sërish shqetësimi më i madh në këtë rast është e ardhmja. Nëse do të mohohen të gjitha arritjet e mëparshme, atëherë i bie që historia jonë të rifillojë më 2013.

Mirëpo, problemi është se nesër, pasnesër, mund të vijë një qeveri tjetër dhe duke ndjekur të njëjtën logjikë, do ta fshijë dhe këtë periudhë dhe ne nuk do të kemi histori për t’ua treguar pasardhësve tanë, miqve dhe armiqve. Por një vend pa histori, sado modern të jetë është si çiban mbi dhe. Sepse do jesh i rrethuar me vija të bardha dhe të kuqe! Ndaj, nëse duam vërtet të shkojmë sa më shpejt në Europë, le të njohim dhe zbatojmë dhe frymën e saj dhe lidhur me vlerësimin objektiv, pa paragjykime partiake, jo vetëm “bardhë e zi” të rolit, veprimtarisë, të mirat dhe të metat e krerëve të shtetit, qeverisë, kuvendit, partive etj.. Sa për dyshimet dhe akuzat për vepra penale prej tyre, këtë le t’ia lemë drejtësisë sonë në reformim dhe asaj europiane.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit