Lideri i opozitës Sali Berisha në fjalën e tij në tubim tha se i dërguari i posaçëm për rajonin i qeverisë gjermane, zoti Sarrazin deklaroi se Ballkani i Hapur kishte synim izolimin e Kosovës.
Berisha u shpreh se “Ky është Pashiqi i Tiranës, Pashiqi shqipfolës i Tiranës, të cilin e përkrahin vetëm e vetëm se i lëpihet Vuçiçit. E përkrahin kudo, vetëm e vetëm se është një jesmen që padit Kosovën, qeverinë dhe autoritetet e saj. Që vendos sanksione ndaj vendit vëlla.”
Ai theksoi se Edi Rama është me Vuçiçin dhe kundër Kosovës. Sipas tij ky është një qëndrim bllokues tërësisht për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo ide ka sjellë në vetvete inkurajimin e Putinit të vogël në Beograd, paraqitjen para Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Parisit të Aleksandër Vuçiçit, mentorit të Bjellivukut, si një njeri që po moderohet. Si një njeri që edhe shqiptari, antishqiptari apo Pashiqi i Tiranës, thotë llafe të mira për të. Dhe solli në një mënyrë apo në një tjetër demonizimin e viktimës, demonizimin e Kosovës, të drejtuar qoftë nga kryeministrat para Albin Kurtit, dhe së fundmi nga Albin Kurti. Solli përpjekjet e fshehta të Tiranës dhe Beogradit për ndarjen e Kosovës, duke besuar dhe shpresuar se do të bindin për këtë diplomatë perëndimorë”, u shpreh Berisha.