Një efektiv policie në Shijak është pezulluar nga detyra pas denoncimit në media. Një qytetar u aksidentua në punë, por firma u mundua ta fshehë ngjarjen. Në këtë rast efektivi, punonjësi i policisë i cili ka në dorë një kallëzim për kompaninë bën ndërmjetësin, duke i kërkuar të dëmtuarit që ta mbylli këtë gjë. Madje i thotë të aksidentuarit që të marri paratë e ta mbyllin si çështje.
“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të pikës 8 të nenit 222 të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, punonjësin e Policisë Nënkomisar E. Ç., me detyrë oficer në Komisariatin e Policisë Shijak.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tij, për shkelje të pikës 1 të nenit 209 të Rregullores së Policisë së Shtetit “Nuk përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”. Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, njofton policia.