Pas sulmit të fundit të Iranit ndaj Izraelit, ministri i Jashtëm israelit, Israel Katz, ka shprehur falënderime për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe për liderët e tjerë globalë që kanë ofruar mbështetje për shtetin e Izraelit.
Në një postim në platformën X, Katz theksoi rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar për të ndalur “boshtin iranian të së keqes”. Ai theksoi se regjim i Ajatollahut ka kaluar vijën e kuqe dhe se Izraeli nuk do të heshtë përballë këtyre agresioneve.
“Faleminderit kryeministër Albin Kurti. Mbështetja dhe solidariteti nga liderët dhe kombet anembanë botës nuk do të harrohet kurrë. Ne e dimë se kush janë miqtë tanë.
Regjimi i Ajatollahut ka kaluar vijën e kuqe – dhe shteti i Izraelit nuk do të qëndrojë i heshtur përballë sulmit brutal të Iranit ndaj qytetarëve tanë. E gjithë bota e lirë duhet të qëndrojë me Izraelin për të ndaluar boshtin iranian të së keqes – para se të jetë tepër vonë”, shkruan ai.