Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ftuar në emisionin Opinion tha se ka disa komunikime në Sky ECC që provojnë lidhjen mes eksponentëve të rëndësishëm të mazhorancës socialiste dhe krimit të organizuar për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë apo Policinë e Shtetit.
“Të jeni të sigurt që të dhënat do të bëhen publike sepse prevalon interesi publik. Nëse ka në këtë vend prokurorë që duan të fshehin lidhjet mes krimit dhe qeverisjes, faktin që eksponentë të rëndësishëm me pushtet në Shqipëri ndihmojnë apo ndërhyjnë për të ndihmuar eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar që atyre të mos i cenohet fjala vend pasuria kjo përbën çështje me interes publik dhe unë jam në politikë për të mbrojtur interesin publik. Po i jap kohën e nevojshme prokurorisë për të bërë detyrën e vet. Dua që institucionet të funksionojnë sipas rregullave të këtij vendi. Nëse dështojnë të përmbushin misionin e tyre unë do të përmbush misionin si përfaqësues i qytetarëve”, u shpreh Bardhi.
Më tej ai shprehu bindjen se prokuroria do të veprojë megjithatë theksoi se SPAK nuk i duhen shumë që të lexojë ato që ka përpara.
“Nëse SPAK i duhet një vit që të lexojë atë që ka, do marr mesazhin patjetër që këtu ka një tentativë të qartë nga prokuroria për ti fshehur këto të dhëna”, tha ai.