-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: A ka filluar gjykimi i klasës politike?

Kryesoret

Salianji, njëri ndër deputetët më kontravers dhe i zhurmshëm, pas një zvarritje disa vjeçare, tashmë është një i dënuar ordiner, fati i të cilit po shërben si alibi e çastit e opozitës për të djegur çfarë mund të digjet, për të përmbysur çfarë mund të përmbyset, krijuar  gjendjen e ankthit, gjithnjë me shpresë se, përmes tij, mnd të krijojnë kushtet për krijimin e qeverisë teknike dhe rikthimin në qeverisje.

Salianji, edhe në këtë rast, si edhe më parë, është guri i provës i opozitës, që, përmes tij synon të shpëtojë më të dhimbshem për to: burgosjen e mundshme të liderit të saj, por edhe të tjerevbe që rrinë krah tij. Nëse shembet kulla Berisha, çka duket se do të ndodhë, atëherë edhe një mijë raste “ salianji” nuk e ngrenë më. Kjo është trembja e familjes, e injektuar në trupin e opozitës. Njeriu që e beson këtë dhe ndjen ankthin e tij është pikërisht Gazmend Bardhi. Ai pret rënien e kullës për të ngritur kohën e tij, ndaj çmendet në turrin e tij, përshfaq pamjen e dytë të tij, e cila, për fatin e keq të tij, nuk tremb askënd dhe nuk frymëzon njeri.

Salianj është shembulli ,si edhe një shumicë njerëzore, që e mban veten si pjesë e elitës politike, mund të çmendet, por edhe të shkojë përtej sa, të shfaqë gjendjen e rëndë psiqike përmes dhunës dhe meskinitetit në të njëjtën kohë.

Salëianji nuk është i vetmi, tre nga ish ministrat socialistë, si nuk kishte ndodhur kurrë më pareë, janë ose të dënuar, ose në gjendje në aresti, apo të arratisur nga Shqipëria. Zyrtarë të lartë të shumicës sunduese janë të arrestuar apo në hetim. Në kahun tjetër, drejtuesi i opozitës, Berisha , në gjendje arresti pret fillimin e gjykimit, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, po ashtu presin në gjendje ankthi, hetimet po bëhen gjithandej dhe SPAK, përkundrazi qarjeve pafund të analistëve krah opozitës apo vetë drejtuesve të saj, fiton më shumë nga sa pritej, edhe pse herë pas here tejkalon të drejtën e tij.

Çfarë po ndodh? Vërtet klasa politike ka kohën e saj të gjykimit, apo është një periudhë kalimtare, që mund të ndërpritet befas? Askush nuk e di me siguri. Ata që kanë investuar, e mbështetin dhe e monitorojnë nuk e kanë ndër mend të largohen të mundur nga lufta që hapen vetë.

33 vitet e pluralizmit në Shqipëri janë një kohë e dështuar. Janë bjerrje të shpresës së madhe që kishin studentët e dhjetorit për një Shqipëri ndryshe dhe humbja e besimit të qytetarëve shqiptarë se ky vend do të bëhet. Në më shumë se tri dekada u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse një klasë politike çoroditëse, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar oazet e saj politikë, financiarë dhe të krimit, janë ngritur resorte të habitshme,ku shumica janë përmes parasë së pistë, bashkëpunimit me krimin dhe zhvatjen e njerëzve. Nëse në marsin e vitit 1992 kishte një fillesë shprese se do të ndryshonte ky vend i bekuar dhe, nëse në qershorin e vitit 2013 kjo shpresë u përsërit, e të gjitha humbën, kjo ka të bëjë pikërisht me këtë klasë politike, e cila, mjerisht, asnjëherë, edhe kur krimi ishte flagrant, nuk u ndëshkua, nuk u skuq dhe vazhdon të jetë përsëri e njëjta, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë.

A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike? Të gjithë shefat e qeverive që kanë shkuar në këto 32 vite mendohet se sot janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend; thuaj të gjithë ministrat kanë qenë pjesë e barbarisë së zhvatjes së pasurisë së përbashkët; liderë politikë që janë të lidhur me banditë të rrugëve gjenden kudo; gremina financiare janë krijuar në të njëjtën kohë kur janë ngritur edhe resortet madheshtorë; kultivimi i drogës, përhapja e shitje e saj, sidomos përtej kufijve ka qenë e mbetet praktikë e zakonshme…vjedhje masive të zbuluara e të padënuara…, vrasje , vetëm në Tropojë janë mbi 200 djem të rinj të vrarë, për të cilët nuk është dënuar askush, sepse klasa politike është organizatore e tyre; vrasje gjykatësish, si i ndjeri Konomi, me urdhër të qarqeve të larta të lidhura me politikën, median dhe pronat në bregdetin e lakmuar të Lalzit, vrasje në mesin e bulevardit, ku gjthçka është bërë në dritën e diellit, barbarisht, ndaj njerëzve me duar në xhepa; vrasje në Gërdec, ku , megjithëse dihet fare mirë se kush ishte “ sy peshkaqeni”, asnjë institucion drejtësie nuk kishte guximin minimal të thërriste një pinjoll kryeministror…tenderë të dhënë firmave fantazmë, ku milioma euro do të ndaheshin nga njerëzit e politikës…banditë që blejnë vota, shesin emra deputetësh, deputetë që kujdesen për pronat e banditëve kur këto janë në burgje dhe, në fund, si një përtallje për gjithë çka ndodhur, ishte një KÇK, “ kap çfarë të kapësh”, që ndalon tek banditët e rrugëve, por bën kujdes të mos trazojë banditët e politikës.

Koha për të pasur një gjykim për një klasë politike thellësisht të korruptuar e skajmërisht antikombëtare ka qenë prej shumë kohe. Në tri dekada , jo rastësisht, mbi këtë vend, kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar, dhe do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.

Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtëmendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme ,por vendosëse deri në vrasje, shpërthimin e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviqit e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, në Shqipëri ndëshkueshmëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzistente. Shpesh herë ajo është shpërblyer. Megjithë premtimet e bujshme të shefit të qeverisë Rama për ndëshkimin e krimit, sidomos nga politika, askush nuk u gjykua.

Tre nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë së tij, por edhe nga miqtë e tij më të afërt janë akuzuar, dënuar apo arratisur nga vendi, pikërisht për akte të mëdha korruptive, dhe , ai ndjehet i pafaj në besimin e tij. Kryeministra të vendeve të rëndësishme, figura të larta të politikës evropiane apo perëndimore, janë vetë larguar nga detyra kur ndihmësit e tyre janë dënuar për korrupsion apo akte të tjera që dëmtojnë sistemin, ndërsa pafajsia e kryeministrit tonë po bëhet proverbiale.

Me një ulërimë vrastare, në pak kohë, klasa politike u bashkua përgjithësisht në një lukuni ujqërore, për të mbështetur fuqishëm njëri tjetrin në një përballje që do të mund të vinte, dhe që, për fat të keq, nuk erdhi kurrë.

Çfarë është kjo klasë politike, e cila ka zaptuar shtetin?

Mjerisht , ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen, e më pas edhe kombin.

Kja klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti sipas alternativës tetëvjeçare, e riardhur, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stër-rritet e ushtron presionin e saj të kudoqofshëm, deri në absurditet, por tashmë, krejtësisht jashtë rrezikut për të ardhmen e tyre, kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet, qoftë edhe përmes përbaltjes dhe kriminalizimit të shtetit të tyre, djegjeve dhe goditjeve parlamentare,  ashtu si pala tjetër, edhe pas kriminalizimit të skajshëm të politikës, ku më shumë ndjehet forca e një bande të fortë se sa e një politikani të mënçur, mbahet pas pushtetit.

Në këtë mjedis politik liderë të këtij mendimi dhe precedenti politik të pashembullt, vazhdojnë të jenë të njëjtët njerëz, që fatkeqësisht hynë në politikë me bluza të bardha, për ta gjakosur atë pas pak viteve, si askush tjetër në një shtet demokratik; që hynë si studentë idealistë,për t’u kthyer në manjatë financiarë; që u bënë pjesë si piktorë modernistë, për të krijuar sistemin zhvatës të PPP-ve; ministra që ishin mekanikë dhe u gdhinë ministra të shendetsisë; të panjohur që drejtuan dikasteret.

Në vitin 1992 mbi 75 për qind e popullsisë priste ndryshimin përmes figurës enigmatike të Berishës. Edhe sot, megjithëse në dukje jashtë pushtetit, ai ka ende në vete mjaft nga fijet që e vërdallosin këtë pushtet, sidomos në disa nga strukturat kyçe të tij.

E përsëri, si ndodh rrallë, ai do të kishte pranuar çdo lloj disfate e katastrofe, financiare apo politike të “armiqve” të tij politikë, vetëm e vetëm për të arritur fitoren “ e brendshme” të tij. Por banditë rrugësh nuk futi në parlament, atë e bëri njeriu që sillte shpresë në qershorin e vitit 2013…

Mbi klanin politik berishist rëndojnë , le ta themi haptas, mjaft krime të pa ndëshkuara. Janë aq të shumta , sa që tani është e panevojshme ripërsëritja e tyre.

Ky klan, familjar e politik, krijesë e një oligarkie politike e financiare të rrezikshme deri në skaj, është përgjegjës  në një rëndesë të madhe, por jo i vetmi, në gjithë këtë katrahurë ku vërvitet një vend me resurse, me njerëz të aftë, por të pashpresë, dhe në të cilin, pasuritë e tij, si mos ma keq, janë shitur në koncensione të babëzitura.

Atë që ka lënë pa bërë qeveria Berisha, po e bën qeveria Rama. Nëse kjo e fundit nuk vret në bulevard dhe nuk të hedh në erë si në Gërdec, të detyron të mallkosh vendin ku ke lindur…duke e braktisur atë.

Përse nuk do të gjykohen ata?

Së pari, sepse qeveria e sotme, megjithë premtimet elektorale, nuk ka këllqe ta bëjë këtë. E gjithë retorika e fushatës së para qershorit 2013, që solli ndezjen e një vale shprese tek njerëzit, ishte pikërisht ndëshkimi i krimit, ndëshkimi i së keqes dhe i njerëzve që e kishin sjellë atë, duke u shndërruar në sheikët shqiptarë, megjithëse nuk kishin asnjë “pikë naftë” në trojet e patrashëguara që kishin zaptuar politikisht.

Tani,çdo ditë e nga pak, shpresa po shuhet, qeveria bën sikur do të ndëshkojë, në të vërtetë çdo gjë e kalon në kalendat greke, domethënë , në askund. Opozita bën sikur i hakërrohet qeverisë, por në të vërtetë e di se asgjë nuk do të ndodhë, dhe duke e ditur këtë, trashin zërin, mallkojnë, sajojnë dhe shpifin.

Së dyti, pak para largimit nga pushteti  qeveria Berisha , lëshoi me dhjetra konçensione vrasëse për Shqipërinë, që nga Lotaria Kombëtare e deri tek ato për kromin, bakrin, naftën, si kishte lëshuar më parë për Aeroportin e Rinasit, etj. Duke qenë oligarki dhe nën drojën e pushtetit dispotik, vendimet kaluan nëpër frymën “kolegjiale” dhe si të tilla,, tani, ata janë të pagjykueshme.

Por, edhe kur ata janë bërë nga një ministër i vetëm, si Ruli, për shembull, jashtë çdo atributi juridik, përsëri kanë gjetur “selamllëkun” e qeverisë. Si është krejt e mundur, segmente të qeverisë së sotme, medet, janë bërë pjesë e vjeljes së këtyre konçensioneve, për të cilat ishin betuar se do u a kthenin qytetarëve si një përfitim për to.

Duke qenë tashmë pjesë e përbashkët, askush të mos presë dëshkimin për krimin.Por shkuan edhe më tej. Rreth dyqind konçensione të quajtura PPP janë në lëvizje nga qeveria e tashme. Disa prej tyre janë gllaberuese të mëdha, disa të tjera do e kenë ushtimën në vitet e mëpasme.

Së treti, askund tjetër nuk ka pasur një sistem drejtësie kaq të implikuar me krimin, sa ky që ishte e vazhdon në pjesë të veçanta të jetë në Shqipëri.  Mafia e drejtësisë është e lidhur fuqishëm me politikën, është pjellë e saj, ndaj askush të mos mendojë se është një pjellë që mund të “hajë” rritësit e saj. Gjin Gjoni, një nga figurat më korruptive në drejtësi sot është i pari në degën e PD në Lezhë.

Mafia e sistemit të drejtësisë është e lidhur me bandat që kanë tagrin e tyre në politikë. Lirimet nga burgjet e të dënuarve përjetësisht janë haraçi i përbashkët i drejtësisë dhe i politikës. Figura të rëndësishme kontrolluese apo pjesë  të shtetit janë emëruar në poste të rëndësishme pikërisht nga ndërhyrjet e “ bosëve” të krimit, që janë ende të dënuar.

Idea e hedhur se, pas miratimi të refomës së re të drejtësisë, gjërat do të çuditin gjithë

Shteti, që kur është krijuar më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkueshmëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo, për fat të keq, do të jetë si ata kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë.

Ndaj , edhe besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohet , ta zëmë, Berisha, Meta, Nano, Pollo, Bode, Ruli, Kryemadhi, Ahmetaj, Rama, lista është e gjatë,  jo vetëm si përsona publikë, por si precedent të rrezikshëm politik e financiar, ka filuar të humbasë. E bashkë me to, edhe besimi i një njeriu që ka pritur gjithë shpresë kthimin nga e mbara të vendit të tij. Ky, jam unë, si mund të jetë secili nga ne.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit