“Në Kosovë, Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit ka mbajtur takime të rregullta që nga viti 2016 kur është themeluar. Kemi parë një progres inkurajues në reformat demokratike, zhvillimin ekonomik dhe përpjekjet për ta luftuar korrupsionin. Megjithatë, mbetet një punë e rëndësishme për t’u bërë, sidomos në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që është kyç për stabilitetin afatgjatë të rajonit”, ka thënë ai.

Për secilin vend të rajonit ekziston një delegacion i posaçëm, ndërsa ai për Kosovën është edhe delegacion për raportet me Bosnje e Hercegovinën.

Deputeti Marco Tarquinio, social-demokrat nga Italia, do të jetë shef i delegacionit për Shqipërinë dhe i delegacionit të përbashkët të MSA-së me Shqipërinë.

Shef i delegacionit për Serbinë do të jetë deputeti konservator nga radhët e Partisë Popullore Evropiane nga Qiproja, Loucas Fourlas.

Thomas Waitz, deputet i Të Gjelbërve nga Austria, është zgjedhur kryesues i delegacionit për raportet me Malin e Zi.

Për Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, do të jetë deputeti i Partisë Popullore Evropiane nga Kroacia, Karslo Resler.

Të zgjedhurit në postet e kryesuesve të delegacioneve kanë paralajmëruar se shumë shpejt do t’i nisin kontaktet me kolegët e tyre nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe me parlamentet nacionale të këtyre vendeve, në mënyrë që të punojnë së bashku në agjendën e reformave.

Deputetët e Parlamentit Evropian presin nga kolegët e tyre në rajon që të jenë maksimalisht të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre, sepse dimensioni parlamentar është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përmbushjen e kushteve për progres në procesin e integrimeve evropiane. Kjo, për faktin se në këtë proces nevojiten shumë reforma ligjore dhe të gjitha ato duhet të kalojnë edhe përmes parlamenteve nacionale.

Tani pritet që në Komisionin e Politikës së Jashtme të ndahen edhe rolet e raportuesve për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ata kanë përgjegjësi edhe më të mëdha, sepse i hartojnë dhe negociojnë raportet vjetore për vendet e rajonit, të cilat në fund votohen edhe si rezoluta të Parlamentit Evropian.

Së pari, pritet që grupet kryesore politike të ndajnë mes vete se cilit grup do t’i takojë roli i raportuesit për cilin shtet. Pastaj, grupet do t’i nominojnë kandidatët e tyre.

Në 15 vjetët e fundit, raportuesi për Kosovën ka qenë nga radhët e Të Gjelbërve. Raportuesja e fundit ishte deputetja gjermane, Viola von Cramon – Taubadel.

Të Gjelbërit, sipas burimeve nga Parlamenti Evropian, do të preferonin ta kenë përsëri raportuesin për Kosovën, por meqë ky grupim politik ka shënuar rënie të numrit të përgjithshëm të deputetëve, nuk është ende e sigurt nëse partitë tjera do të pajtohen për një gjë të tillë.

Zgjedhja e raportuesit për Kosovën dhe për vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor pritet të përfundojë para fundit të muajit tetor./REL