Në Vlorë lagjja “Karabash” është nga më të përmbyturat, pasi uji ka vërshuar duke dalë nga shtrati i kanalit.
Banorja e kësaj lagjeje thotë që është bërë një katastrofë, janë shkatërruar dhe janë prishur totalisht të gjitha sendet dhe mobiljet e shtëpisë.
Ajo u shpreh se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të mospastrimit të kanalit edhe pse ata i kishin bërë thirrje bashkisë dhe nuk kishin ardhur.
“Para dy ditësh këtu është bërë një katastrofë e paparë. E pallogaritur. Vetëm nga kanali. Nga ura aty. E kanë bërë të papërgjegjshmit. Kemi bërë kërkesa të mirëmbahet kanali. Kemi kohë që e kemi bërë. Ku nuk kemi vajtur. Kemi vajtur tek ujësjellësi, tek të gjithë kemi vajtur. Njëri thotë kështu, tjetri ashtu. Njëri do ta pastrojë. Por nuk u pastrua. S’kemi lënë institucion pa bërë kërkesë. Shtëpia më ka krisur. Brenda dhe jashtë., tha banorja.
Ajo tregon edhe momentet e përmbytjes “Goditja e parë ka qenë këtu. Shyqyr që më hoqi burri fëmijët. Unë me gjithë djalin e nusen, jemi mbytur nëpër atë lumin e madh që kalonte nëpër Vlorë.Mezi erdhën në shtëpi të largonim fëmijët. Kemi parë llahtar”.