Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu përgjigj deklaratës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në lidhje me anulimin e seancës plenare. Ajo e ka cilësuar reagimin e tyre si “vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike”.
Në reagim Spiropali nuk jep arsye për anulimin e seancës së planifikuar për sot. Vendimi duket se erdhi për të shmangur incidentet që mund të ndodhnin nga aksioni i PD-së në ditën e vizitës së Presidentit turk, Erdogan.
“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.
Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional” thotë Spiropali.
PD: Dënojmë sjelljen e Spiropalit, që mbyll punimet e Kuvendit pa konsultim









