-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: Autokontradiktat e opozitës…

Kryesoret

Aktiviteti publik dhe po bën përpjekje të sforcuara për të treguar kombativitet në radhët e veta, opozita shqiptare akoma është në situatë të paqartë me veten. Pas fasadës për treguar “muskujt” apo forcë politike, pas asaj që duket, fshihet ajo që është thelbësore dhe duhet diagnostikuar si e tillë. Opozita pavarësisht bravurave të jashtme është duke u shfaqur politikisht kaotike e strukturalisht konfuze. Kohezioni i brendshëm social dhe uniteti politik në radhët e opozitës kryesore, Partisë Demokratike, kurrë nuk ka qenë më i lëkundur dhe i destabilizuar si në ditët e sotme.

Tre a katër skizma të brendshme të ndodhura njëra pas tjetrës e kanë “kafshuar” duke e “holluar” trupin e saj politik, e kanë bërë atë më të brishtë në synimet politike përballë pozitës. Pas veprimeve të fundit në dukje, strategjikisht të guximshme, fshihen disa kontradikta, që nuk mund të fshihen, që e kanë bërë PD-në dhe në tërësi koalicionin opozitar më vulnerable, të pasigurt për suksesin e synuar për betejën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit që vjen.

Kjo është arsyeja pse brenda opozitës, në veprimet e saj publike është shtuar “kortizoli politik”, që krijon shqetësime të thella ekzistenciale, duke diktuar një gjendje evidente e të zgjeruar të stresit, ankthit, agresivitetit politik. Sinqerisht si qytetar dhe intelektual, përtej bindjeve politike, më vjen keq për nivelin kritik të opozitës, autoritetin ekzistencialisht dhe politikisht të cenuar të saj. Nuk është fjala për opozitën të vlerësuar si “entitet” i domosdoshëm, por për mungesën serioze në jetën demokratike të një alternative konkurruese, të besueshme, mbushamendëse dhe perspektive. Pa dashur të cenoj integritetin e politikës së opozitës si modus operandi, mendoj se situata e saj është e paqartë, shpeshherë me lëkundje të forta sizmike dhe koncepte të paqarta e likuide me natyrë konceptuale, që në mënyrë evidente duket në pozicionimet evazive të deklaratave të saj, herë janë djathtas e herë në qendër.

Madje kohët e fundit, në përpjekjet e natyrshme për të krijuar atraksion elektoral dhe besim të shtuar qytetar, krijojnë situate utopike që fillojnë nga propozimet për të dyfishuar rrogat e pensionet e deri në propozime haluçinante, për të paguar familjen me 20 mijë euro për fëmijën e tretë. Nga ana tjetër, ka raste kur disa politikanë të opozitës, duke qenë të ngutur dhe me synimin për të bërë efekte të jashtme spektakolare, në thelb të ligjëratave agresive, u mungon forca e argumentit të qëndrueshëm, u dallohet naiviteti bashkë me idetë e hallakatura, mangësi që lidhet edhe me cilësitë personale të disa deputetëve të përzgjedhur. Kjo është arsyeja pse shpeshherë cilësia e debateve dhe forca e dobët e argumenteve e “bën bosh” debatin politik.

Duke e parë në thelb qëndrimin aktual të opozitës, duket sikur ajo është në gjendje kaotike dhe më shumë se po bën opozicion të vërtetë, efektiv e të besueshëm, ajo është kthyer në atë gjendje që në politologji njihet si sindromë “partisë së kundërpërgjigjes”. Koha kërkon që opozita duhet të rishikojë platformën dhe veprimin politik. Janë të pamjaftueshme besimi në retorikat e kundërpërgjigjes apo “ritualet e protestës” si qëllim në vetvete, pa “substancë të qëndrueshme”. Në jo pak raste, për qëllime elektorale, për të zbutur ashtin konservator, të natyrshëm për një forcë politike të djathtë, liderët e opozitës kanë filluar të bëjnë premtime sociale të bujshme, krejt të panatyrshme për një alternativë të djathtë, liberale, jo etatiste.

Kjo kontradiktë nuk i jep autoritetin e duhur opozitës, sepse premtimet më shumë se janë organike, janë formulime të bëra nga situata e vështirë që ajo po kalon. Por krahas kësaj kontradikte të brendshme teorike, programore e doktrinare, opozita ka edhe një kontradiktë akoma më të thellë, që është struturore e organizative. Opozitës i janë dobësuar amortizatorët e ekuilibrit që mban në “gjendje pune” të dy “trupat ekzistencialë”, që e bëjnë atë forcë sfiduese besueshmërisht konkurruese, sepse është prekur nga një patologji serioze: qoftë në aspektin politik apo këndshikimin natyror e sasior. Tentativat e fundit për të treguar forcë politike, kombativitet strukturor në betejat e saj për të bërë “zap” pozitën përmes mekanizmit të “mosbindjes civile”, duket se nuk kanë sjellë rezultat, që ta bëjnë optimiste ballafaqimin dhe matjen e forcës politike me mazhorancën.

Në pamje të parë, lëvizjet e fundit të opozitës, qoftë brenda dhe jashtë Parlamentit apo në rrugë, janë përdorur për të krijuar idenë se jeta politike në Shqipëri është “tejnxehur”. Në të vërtetë, kontradiktat konceptuale e strukturore të opozitës e kanë “ftohur politikën”, e kanë bërë akoma më të varfër, kaotike, të paqartë, pa piketa të sigurta aksionin e tyre politik. Qoftë si politikë doktrinare, apo edhe si “politikë rruge”. Për fat të keq, më duket se këto kohë, duke ndjekur artikulimet e lidershipit politik, krijohet përshtypja, se edhe idetë politike janë bërë më të varfra, gjithnjë e më pak frymëzuese për qytetarët, qoftë militantë të angazhuar apo njerëz neutralë qofshin. Një parakusht i domosdoshëm për situatat që kalon opozita, nevojën për të ndërtuar sa më parë një “konkurrencë alternative” të devotshme, të besueshme, të vërtetë. Ka kohë që situata brenda kampit të opozitës së bashkuar është turbulente, e paqartë.

Tashmë kjo situatë është agravuar, patologjitë e opozitës janë fare evidente. Edhe pse është bërë temë e vjetër, unë besoj se është koha që për të kapërcyer këtë situatë opozitës, nuk i vlejnë as djegiet e karrigeve në Parlament, as “molotovët urbanë”. Ca më pak pastaj kur veprimet shoqërohen me retorika boshe. Asaj sipas mendimit tim i duhen reflektime të reja, për të kuptuar patologjitë endemike, që tashmë janë tejet të dukshme. Ato janë thelbësore për shëndetin e opozitës. Duke parë zhvillimet brenda kampit të opozitës, lëvizjet kaotike, tendencat policentrike të pandalshme që janë duke u zhvilluar brenda saj, më duket se “lidershipit të dekonstruktuar” të opozitës i mungon analiza objektive e gjendjes brenda saj dhe mbi të gjitha, mungesa e “vetëdijes kritike” për situatën kaotike në të cilën gjendet momentalisht. Në pamje të parë duket sikur kemi një “opozitë kriticiste”, e cila bën veprime e gjeste televizive apo lëvizje populiste pa objektiva e synime të realizueshme. Të gjitha krejt të pamjaftueshme për të ngritur autoritetin e vet, sot politik dhe fare afër edhe elektoral. Një nga iluzionet e opozitës aktuale është besimi i pakuptimtë se situata dhe autoriteti i saj mund të forcohet vetëm nëpërmjet “ligjërimit monologues” të liderit të PD-së nga ballkoni i shtëpisë së vet. Kjo është e pamjaftueshme, sepse opozita është tronditur nga situata brenda saj, duke u larguar nga standardet e politikës profesioniste, duke e kthyer atë në videopolitikë ose në “hermeneutikë politike kafenesh”.

Padyshim në radhët e opozitës ka politikanë të ditur, me personalitet kulturor dhe autoritet politik, që e kuptojnë situatën dhe patologjitë e brendshme të opozitës në tërësi. Por kohët e fundit për fat të keq opozita ka filluar të lançojë dhe mbivlerësojë disa politikanë, që shfaqen dukshëm me “dimension patologjik”, agresivë e eksentrik, duke menduar se kështu i shërbehet më mirë luftës parlamentare, zhvillimit suksesiv të betejave politike. Por në radhët e saj ka njerëz të mençur, intelektualë e politikanë racionalë, që janë në gjendje të bëjnë vlerësime komplekse të gjendjes opozitare, e cila është në situatën ndoshta historikisht më të vështirë. Sepse në perceptimin tim, pavarësisht demonstrimeve fizike, zhurmave urbane publike me natyrë ekzistenciale, përgjithësisht politikat saj më duken sterile, jo efikase. Pesha e reagimeve emocionale me instinkte politike, ka filluar të evidentohet më shumë si qëllim në vetvete, si “pelerinë” për të mbuluar mendimin e vërtetë, objektiv, të bazuar e kritik ndaj gjendjes në të cilën ajo ndodhet. Që është detyra primordiale aktuale e urgjente e opozitës.

A ka rrugëdalje premtuese nga kjo situatë, në të cilën ndodhet opozita shqiptare?

Padyshim. Por opozita ka nevojë të reflektojë, të zgjidhë sinqerisht, hapur autokontradiktat që ekzistojnë brenda saj, duke e larguar pozicionin nga qëndrimet e vjetra, të pakuptimta antikomuniste (askush nuk beson në mundësinë e recidivit komunist) dhe të bëhet e besueshme. Jo me slogane të thata, por me standarde politike të gjalla, kreative, bindëse e frymëzuese, që të përshtaten me obligimet dhe pulsin politik të realiteteve të kohës së sotme. Nëse opozita nuk e kupton situatën e autokontradiktave që ekzistojnë, ndikimin e tyre dekurajues tek njerëzit, kjo është për të keqen e saj. Ajo po mashtron veten, duke menduar se situata është më e mirë, se sa në të vërtetë e perceptojnë njerëzit në fakt. Opozita ka iluzionin e brendshëm se është aktive, e popullarizuar në publik, por në thelb duket se kemi më së shumti shenja të sigurta “politikës së bunkerizuar” brenda vetes.

Rrëmujat fizike parlamentare dhe jo betejat konsistente politike, në mënyrë thelbësore evidentojnë të vërtetën, se mungesa e polemikave të qenësishme dhe opozicioni konstruktiv, e kanë kthyer opozitën si mjet spektakolar me efekte të jashtme në rrugë apo në Parlament. Edhe këtu shfaqen autokontradiktat e grupit, që evidentojnë një dikotomi të “trupës politike” dhe grupit parlamentar demokrat. Në mënyrë fare të qartë dallohen disa që janë “skifterët agresivë”, e ca të tjerë qëndrojnë ose indiferentë, kontestatorë në heshtje ose në pozita anonime dhe disa që janë apo duan të hiqen si intelektualë dhe shprehen mediatikisht me eufemizma politikë e “fraza të rrumbullakosura”. A e ka koshiencën objektive opozita, për të qenë e sinqertë me veten dhe të kuptojë se kjo politikë që po ndjek ka sjellë vetëm “fitore bosh”? A e ka të sinqertë opozita dijen e vërtetë për gabimet e saj, që e kanë lënë në këtë pozitë politike delikate, të paqartë dhe elektoralisht të pasigurt? A e ka të qartë opozita ligjin universal, se politika gjithnjë ndëshkohet kur bën të njëjtat gabime? A mendojnë liderët aktualë të opozitës se janë të imunizuar nga gabimet e vazhduara, të njëpasnjëshme? Janë kohë të vështira për opozitën, për të sotmen, por me sa duket edhe për të ardhmen e saj.

Gjithmonë, historikisht kur opozitat kanë qenë në krizë ekzistenciale dhe politike kanë ndjerë nevojën për liderë të mëdhenj. Sepse koha e krizës opozitare, vështirë të përballohet pa praninë e mendjeve të mëdha politike. Ndërkaq, edhe besimi në fuqinë frymëzuese e nxitëse të “liderit karizmatik” nuk janë të mjaftueshme. Një besim i “verbër” që duhet rishikuar, sepse kjo metodë politikisht dhe elektoralisht është e pamjaftueshme. Opozita doemos që ka nevojë për lider dhe lidership frymëzues, por së pari ajo ka nevojë për organizim dhe aftësi menaxhuese e drejtuese, të cilat për shkak të atyre kontradiktave që përmenda më lart, nuk janë në nivelin e duhur. Kjo duhet vlerësuar si imperativ prioritar për opozitën, nëse nuk dëshiron që ta çojë opozitën në tërësi drejt “pikës së vdekur”, të cilës pastaj në mënyrë fatale nuk ke çfarë t’i bësh.

Absolutisht nuk janë të mjaftueshme retorikat politike për bujë, apo politika e zgjedhur e nihilizmit, “negativiteti radikal, si mjet i vetëm i opozitës për t’u bashkuar dhe afirmuar në skakierën politike aktuale. Besoj opozita duhet t’i drejtohet me sinqeritet “vetes”, të diagnostikojë sëmundjet që kanë sjellë këtë situatë të mbushur me “autokontradikta”, si mënyrë për t’i kapërcyer ato sa nuk është vonë. Opozita duhet të gjejë identitetin brenda saj, pastaj të synojë të luajë rolin që i takon. Një gjë është e sigurt: asnjëherë sëmundjet nuk shërohen me shkaqet e tyre…

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit