Lideri i opozitës Sali Berisha në fjalën e tij në tubim folio rreth masakrës që ka ndodhur ditën e djeshme në Shkodër, ku humbën jetën tre viktima, Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një grua e pafajshme që po kalonte rrugën me motor me bashkëshortin e saj, që ndodhet në luftë me jetën.
Berisha u shpreh se Shkodra ka njohur masakra, represione, por ka ditur që të rezistojë dhe të triumfojë gjithmonë.
“Në nëntor të vitit 1944, Shkodrën e vendosën nën pushtim forcat terroriste komuniste, por Shkodra mbeti bastion kryesor i antikomunizmit në Shqipëri dhe Europë.
Në vitin 1991, falangat e Sigurimit të Shtetit shkrehën breshëritë vdekjeprurëse mbi gjokset e të rinjve të qytetit dhe realizuan një masakër për të cilën morën ndëshkim botëror.
Masakra e djeshme nuk vinte nga Sigurimi i Shtetit, por masakra e djeshme vinte nga mafia e shtetit, një forcë po aq e urryer sa ç’ishte Sigurimi dikur.”, tha Berisha.