-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Le të merremi me hallet dhe telashet që kemi brenda shtëpisë

Kryesoret

Kështu ka rezultuar deri tani demarshi dhe fjalimi që Kryeministri Rama mbajti 2 vjet më parë, më 12 Tetor 2022 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE) në Strasburg. Duke hapur, pa qenë nevoja, një ”kantjer” të vështirë dhe të panevojshëm diplomatik në plan europian me kërkesën për zëvendësimin e Rezolutës 1782 të muajit Janar 2011 mbi hetimin e pretendimeve të Raportit të ish senatorit të ndjerë zviceran, Dick Marty për trafikimin e organeve njerëzore nga ish liderë të UÇK-së, mbas mocionit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 12 Gusht 2022. Me kërkesën që KiE-ja të fillonte procedurat unikale dhe të ndërlikuara proceduriale të cilat duan kohë të gjatë për shqyrtimin e Draft – Rezolutës së Kuvendit; sepse këto procedura përfshijnë debatet për sigurimin e shumicës në komisione, grupe parlamentare dhe në seancën plenare të KiE-së.

Kjo nisëm u ndërmuar pa konsultime dhe bashkërendim me Prishtinën zyrtare dhe me aleatët tanë perendimorë. Ajo u lançua me bujë në shumë forume ndërkombëtare dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 25 shtator 2022.

Për këto arsye, bashkë me ekspertë të tjerë, edhe autori i këtyre radhëve e kritikoi qysh atëhere atë demarsh të gabuar diplomatik nga këndvështrimi i gjerë realpolitik, sepse asgjë pozitive nuk do të sillte, ndërsa Kosovës, kishte rrezik që që siç i thonë fjalës, në “ vend t’i vinte vetullat, mund t’i nxirrte sytë”!.

Pavarësisht nga sa thuhej dhe qëllimet e mira në dukje, nisma në fjalë ishte pa vend, e nxituar, e tepëruar dhe pa shans për shumë arsye. Kjo sepse Rezoluta 1782 miratuar nga Asambleja Parlamentare e KIE-së në janar 2011 nga ana proceduriale është korrekte; si dokument politik, ajo Rezolutë kërkon hetimin dhe verifikimin gjyqësor të disa pretendimeve të Raportit Dick Marty, ku përshihet dhe trafikimi i organeve të qënieve njerëzore për të cilat ngarkoheshin me përgjegjësi penale disa ish drejtues kryesorë të UÇK-së.

Mirëpo në fakt, atëhere dihej publikisht se akuza e trafikimit kishte rënë dhe nuk po hetohej.

Kështu, qysh në muajin Maj 2014, prokurori amerikan Clint Williamson kishte njoftuar se në përfundim të hetimeve të tyre nuk kishte prova materiale mbi përfshirje të ish drejtuesve të UÇK-së në trafikimin e qenieve njerëzore. Ndaj dhe Gjykata në Hagë nuk i ka pranuar ato; për rrjedhojë, Thaçi me shokë nuk po gjykohen për atë trafik, por me krime të tjera të dyshuara që mbeten për t’u provuar, sepse sërish sundon parimi i shenjtë i prezumimit të pafajësisë.

Atëherë, me të drejtë lindte pyetja se përse duhej një rezolutë e re e panevojshme nga ana e KiE-së, kur Gjykata në Hagë vazhdonte punën, qoftë dhe me dritëhijet e veta, ca më tepër kur atë e mbështetin dhe aleatët tanë perendimorë?

Pastaj, dhe nëse do miratohej Rezoluta e re, çka tani mbas 2 vitesh pritjeje duket vërtet ”hallvë e ftohtë”, juridikisht ajo nuk do të kishte asnjë ndikim në veprimtarinë e asaj Gjykate. Ca më keq akoma, ai fjalim mund të perceptohej dhe interpretohej dhe si presion politik ndaj procesit gjyqësor në Hagë!

Shqetësimi tjetër ishte humbja e kohës dhe energjive për lobimet e rastit, shmangia e vëmendjes nga sfidat madhore aktuale të njohura për Kosovën, duke përfshirë anëtarësimin e saj në KiE. Ky i fundit pas fjalimit të Ramës nuk është se pati ndonjë përshpejtim apo lehtësim dhe sivjet u bë i pamundur për shkaqe që tashmë dihen.

Gjithashtu, ndonëse teorikisht dhe sipas Nenit 25 të KiE-së nuk përjashtohet si mundësi, në praktikën e organizatave ndërkombëtare nuk ka ndodhur që ​ato t’u rikthehen rezolutave apo deklarimeve të mëparshme politike, ca më pak mbas dhjetë a më shumë vitesh. Sepse kjo do ta paralizonte veprimtarinë e asaj Asambleje, e cila mblidhet 4 herë në vit nga 4 ditë gjithsejt, ndryshe nga Parlamenti Europian që qëndron i mbledhur çdo ditë. Por dhe ky i fundit nuk e ka në praktikën e tij të punës rikthimin dhe çbërjen e rezolutave të mëparshme, ndonëse ato ndiqen dhe përditësohen në dinamikën e tyre.

Një arsye tjetër është se ka forma dhe mënyra të tjera më praktike për të pasqyruar dhe përditësuar këto dinamika dhe realitete. Kështu, nëse gjatë një periudhe kohore janë vërejtur ndryshime apo devijime, mjafton një dekaratë e depozituar apo fjalim i përfaqësuesve të një vendi në asamble dhe kjo e zgjidh problemin. Kjo dhe mbasi KiE-ja dhe organizatat e tjera të ngjashme ndërkombëtare kanë forumet dhe “gjykatat” e tyre që merren sistematikisht me dosjet e ndryshme, kështu që ato e dijnë të vërtetën, ciladoqoftë dhe ajo pasqyrohet në dokumentet e tyre të përditësuara. Dhe aq mjafton!

Ndërkohë, nuk qëndrojnë as kritikat për deputetët tanë anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KiE-së të asaj periudhe, të cilët votuan Pro Rezolutës së vitit 2011. Kjo është fare e thjeshtë për t’u kuptuar. Dhe nëse ata 6 apo 8 deputetë tanë do të votonin kundër apo dhe do të abstenonin, kjo nuk do të ndryshonte asgjë në rezultatin e votimit. Rikujtojmë se rezoluta në fjalë u miratua me 169 vota, me vetëm 8 kundra dhe 14 abstenime. Ca më keq akoma, do të shtoheshin dyshimet mbi këtë demarsh diplomatik të vendit tonë dhe Kosovën mbas nesh, si një përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë ndërkombëtare apo për të ushtruar presion të tërthortë politik mbi të.

Kryesorja dhe më e rëndësishmja, ajo rezolutë u mbështet nga aleatët tanë, BE-ja, OSBE-ja dhe vetë SHBA-ja si anëtare me status vëzhgues në KiE. Ato e bënë të qartë se rezoluta kishte natyrë politike, ajo nuk bënte akuza direkte se nuk e kishte atë tagër, por vetëm shënonte aludime të cilat, për hir të transparencës duhet të hetoheshin nga një gjykatë e pavarur dhe speciale, çka dhe u bë më vonë.

E njëjta gjë dhe për pasojat e Rezolutës në fjalë mbi krijimin e Dhomave të specializuara të Prokurorise në Hagë për Kosovën në vitin 2015, me pasojat e tyre të njohura. Sërish, ishte e pamundur si për ne dhe Kosovën të kundërshtonim krijimin e asaj gjykate. Se do na thonin, përse « ju djeg ju » nëse jeni të pafajshëm? Ligji ndërkombëtar është njëlloj për serbët dhe për shqiptarët. Fakti se kjo nismë u mbështet nga disa vende të tjera jo miqësore, nga Rusia dhe Serbia nuk ndryshon asgjë në frymën dhe gërmat e atij akti.

Duke iu rikthyer fjalimit të Kryeministrit Rama përpara Asamblesë Parlamentare të KiE-së në Strasburg, theksojmë se është një rast jo fort i zakonshëm për liderë të vendeve të ndryshme që t’i drejtohen atij forumi të rëndësishëm me 47 vende anëtare. Ndonëse i drejtë në përgjithësi si përmbajtje, fjalimi ishte i pamatur, i palatuar, me tone të ashpra, patetike, me gjuhë të drunjtë jashtë standardeve të njohura diplomatike, sidomos për forume të tilla shumëpalëshe europiane.

Veç të tjerëve, këtë e ka pohuar në një intervistë në muajin Maj 2023 dhe Zonja Elvira Kovacs, aktualisht zv.Presidente e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, e zgjedhur nga bashkësia e pakicave hungareze; ajo ishte në sallë atë ditë dhe si Zv.Presidente e Asamblese Parlamentare të KiE-së. Kovacs thotë se “u trondita, kam 15 vjet në KiE por kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Rama foli keq dhe ashpër për KiE-në, duke i zemëruar të gjithë, ndaj dhe fjala e tij nuk u mirëprit në Strasburg”.

Jam i sigurt se po të ishte këshilluar, siç bëjnë liderët e tjerë perendimorë, sidomos kur është fjala për raste të tilla, me siguri fjala e tij do të ishte më pozitive, më e mirëpritur dhe natyrisht me më shumë efekte. Sot fjalimet në të tilla forume dallohen për stilin e tyre pozitiv, pa batuta, me qetësi, etikë dhe jo me tone sulmuese.

Si pasojë e reagimeve negative që ngjalli dhe në përgjigje të pyetjeve, krerët e grupeve politike parlamentare të KiE-së anulluan darkën që do të shtronin për nder të tij, diçka tejet e rallë në marrëdhëniet ndërkombëtare; kjo Kryeministrit tonë ka ndodhur dhe në Gjermani me deputetë të Bundestagut disa vite më parë.

Gjithsesi, e keqjaëmë e madhe është efekti i munguar i asaj lëvizjeje diplomatike në Tiranë dhe Strasburg, apo ndoshta dhe gjetkë.

Ndonëse kanë kaluar dy vjet, ende nuk kemi dëgjuar asgjë jkonkrete se çfarë është bërë me rezolutën tonë, cila është gjendja, problemet dhe pengesat dhe mbi të gjitha a ka dhe cilat janë shanset për miratimin e asaj Projekt – Rezolute, çka do të ishte sukses diplomatik ose e kundërta e tij.

Lidhur me këtë, në Maj 2023, Kryeministri Rama njoftoi se janë siguruar firmat e nevojshme për ta kaluar në rendin e ditës. Mirëpo, një muaj më vonë, u mësua nga burime të besueshme se KiE nuk ishte dakord dhe për këtë do të njoftonte më vonë. Heshtja e deritanishme diplomatike nga Strasburgu flet shumë. Gjatë kësaj periudhe, ashtu siç dhe pritej nuk u vërejt as ndonjë lehtësim i masave ndaj Thacit dhe shokëve të tij, se për lirim nuk bëhet fjalë deri në mbarim të procesit gjyqësor në Hagë.

Ja pse demarshet tona dhe fjalimi i Kryeministrit Rama më 12 tetor 2022 mund të thuhet pa hezitim se krijuan vetëm një « stuhi në një gotë çaji në Strasburg»; « stuhi » e cila, siç erdhi dhe iku shpejt, pa gjurmë, pa rezultate, pa jehonë dhe ndikim, madje me ndjesi dhe shije jo fort të këndshme.

Ndërkohë, muajt e fundit KiE-ja botoi një raport ku evidentohen shumë probleme lidhur me dhunën që ushtrohet në vendin tonë ndaj grave dhe vajzave, problem i njohur ky. Ky raport dhe të tjera dokumenta të rëndësishme Europiane dhe Amerikane janë thirje dhe tërheqje vëmendje që të mos merremi me tema të së kaluarës e që janë vënë në rrugën e zgjidhjes, as me riparimin e gjërave që nuk janë të prishura; le ta lemë drejtësinë ndërkombëtare të veprojë e qetë, le të merremi me shumë dhe më mirë me hallet dhe telashet që kemi brenda shtëpisë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit