Në kontekstin e zgjerimit dhe zhvillimit të industrisë së turizmit në Shqipëri ALTAX ka analizuar në një qasje shumëdrejtimëshe performancën ekonomike, sociale dhe mjedisore duke e trajtuar sipas modelit të qëndrueshmërisë së turizmit.
Kjo analizë, duke konsideruar gjithë dokumentet më të rëndësishme të politikave të zhvillimit të turizmit ka përshtatur argumentet sipas planifikimit strategjik, duke sugjeruar zhvillimin e turizmit si një sektor shumësektorial që duhet të sigurojë një ekuilibër të përshtatshëm midis mundësive aktuale dhe të ardhshme të zonave në një ekonomi të bazuar jo vetëm në turizëm.
Në Shqipëri, fluksi i vizitorëve të huaj gjatë vitit është në një rritje progresive nga muaji Maj deri në muajin Shtator, që hyjnë për qëllime pushimi dhe kalimi i kohës së lirë, për vizita te të afërm dhe familjarë, për qëllime mjekësore, për takime biznesi dhe aktivitete, si dhe për qëllime të tjera që përfshijnë raste të ndryshme.
Në vitin 2021 mbërritjet e vizitorëve me shtetësi të huaj arrijnë në 5.69 milionë, në vitin 2022 arrijnë në 7.07 milionë, në vitin 2023 arrijnë në 9.54 milionë dhe për 9 -mujorin 2024 arrijnë në 9.2 milionë, me tendencën që të arrijnë deri në fund të vitit deri në 11.6 – 12 milionë vizitorë të huaj. Në vitin 2022, mesatarisht mbërritën 33% vizitorë më shumë se në 2021, në 2023 mbërritën 35% më shumë se në 2022 dhe në 2024 (9m) mbërritën 46% më shumë se në 2023 (9m).
Kjo statistikë tregon, së pari se vizitorët që vijnë në Shqipëri nxiten nga oferta natyrore (Diell, Ujë dhe Ajër) si dhe së dyti një pjesë e mbërritjeve janë nga emigrantët shqiptarë, që përkon pikërisht me muajin Korrik – Gusht të secilit nga vitet e fundit.
Sasia e vizitorëve për qëllime pushimi dhe vizite te të afërm në vitin 2024 është sa 94% e totalit të numrit të vizitorëve, me një rënie me 1% nga vitet e mëparshme.
Kjo tregon për një rritje të numrit të tyre për qëllime të kalimit të kohës së lirë dhe pushimeve në rajonet e Shqipërisë.
Nga kjo e dhënë për 9-mujorin 2024, duke e parë në projeksion krahasues me 9 mujorin 2023 ka një numër të madh të vizitorëve të cilët kanë hyrë në Shqipëri për arsye të tjera përveç pushimit dhe kalimit të kohës së lirë me të afërm dhe familjarë.
Në analizën për këtë të dhënë shihet se tendenca për të pushuar dhe kaluar kohën e lirë në 2024 është dukshëm më poshtë se numri mbërritjeve të vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime të tjera, fakt që ndikon edhe në mesataren e kohëqëndrimit mesatar vjetor,
Në një këndvështrim tjetër, tregon edhe për një rikthim në nivel jo të pritshëm të pushuesve të viteve të mëparshme, të cilët nëse do të ishin rikthyer masivisht në vitin 2024 do të ishin mbivendosur dhe rritur në totalin e pushuesve me mbërritjet e reja që shtohen vit pas viti.
Numri i vizitorëve që janë akomoduar qëndrojnë ende mbi 92% në hotele dhe akomodime të ngjashme edhe pse kjo përqindje ka rënë nga 2022 deri në 2024 me të paktën 6%.
Numri i vizitorëve në rritje tashmë duket se frekuenton akomodimet me qera afatshkurtër duke shtruar edhe nevojën për rritje të formalizimit në këto njësi, që ende janë në masë jashtë sektorit formal.
Gjatë periudhës së sezonit të ngrohtë, mbi 75% e vizitorëve qëndrojnë pranë zonave bregdetare, ndërsa gjatë periudhës Tetor – Maj, mbi 70% e vizitorëve qëndrojnë pranë zonave jo bregdetare.Vizitorët që qëndrojnë në strukturat akomoduese jashtë sezonit veror kanë një kohëqëndrim më të gjatë mesatar (3.6 – 4.6 netë) se vizitorët në zonat bregdetare (2 – 2.9 netë).
Pesha e industrisë së turizmit në Ballkanin Perëndimor
Midis treguesve ekonomikë të peshës së turizmit shikojmë një situatë pjesëmarrje të lartë të peshës së mban industria e turizmit në ekonomitë kombëtare në Malin e Zi dhe në Shqipëri, në të cilat ka një peshë të madhe të turizmit dhe sektorëve të lidhur me të që arrin respektivisht në 30.4% dhe në 26.1% të PBB-së. Në vendet e tjera të rajonit, pesha e industrisë së turizmit në ekonominë kombëtare është sa 6.6%, 8.9%, 5.2% dhe 3% e PBB-së, respektivisht në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni e Veriut dhe në Kosovë.
Në kontributin në vlerë në ekonomitë kombëtare, shihet se industria e turizmit bashkë me sektorët e lidhur me të (tregtia me pakicë dhe bujqësia) ka një kontribut që arrin në vlerën 6 miliard Euro, e pasuar nga Serbia në 5.2 miliard Euro.
Kontributi i Kosovës është më i ulëti në vlerë, për arsye të ekonomisë së vogël, por edhe pjesëmarrjes së pakët të turizmit në ekonominë kombëtare.
Pesha e industrisë së turizmit me sektorët e lidhur me të është sa 21.8% e tregut të punës gjithsej në Shqipëri dhe 27.6% në Malin e Zi.
Shqipëria ka numrin më të madh të të punësuarve në industrinë e turizmit (278.100 punonjës), ku peshë të madhe mbajnë punonjësit e sektorit të agro-bujqësisë dhe tregtisë me pakicë. Mali i Zi ka një numër prej 66.700 punonjës në vitin 2024, si një ofertë e shtuar në tregun e punës nisur nga kërkesat e larta për shërbime.
Po kështu edhe në Bosnjë-Hercegovinë, numri i punonjësve që shërbejnë për turizmin është sa 10.7% e tregut të punës duke regjistruar 93.200 mijë punonjës në 2024.
Por, nëse llogaritet në kuptimin e ngushtë, punësimin në aktivitetet direkte turistike, atë të akomodimit, transportit dhe ushqimit, atëherë të punësuarit në këto aktivitete në Shqipëri arrijnë deri në 4.2% të tregut të punës gjithsej në 2023 (59.000 punonjës) me tendencë të lehtë rritje në 2024. Në Malin e Zi numri i të punësuarve në tre aktivitetet direkte të turizmit përbën 12% të tregut të punës.
Në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë pjesa e tregut të punës për shërbimet e turizmit është më pak se 2-3% në rastin e Kosovës, e cila përfiton në masë të madhe nga vizitorë për shërbime të lidhura me akomodimin, shërbimet ushqimore dhe të aktiviteteve të biznesit.
Shpenzimet e vizitorëve të huaj në Shqipëri duket se përbëjnë një vlerë në rritje, ku ndërsa para pandemisë ato arrinin deri në 20% të PBB-së, në vitin 2023 u rritën si vlerë në 4.5 miliardë Euro apo sa 22% e PBB-së. Në vitin 2024 vlera e shpenzimeve të vizitorëve të huaj llogaritet të arrijë deri në 4.8 miliard euro, por duke mbetur në të njëjtin raport me PBB-së si viti paraardhës.
Ndërkohë, vendet e tjera ballkanike përveç Malit të Zi, ku shpenzimet e vizitorëve të huaj arrijnë mesatarisht deri në 28% të PBB-së kanë një nivel të ulët të hyrjeve nga vizitorët e huaj. Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kontributi i shpenzimeve të turistëve është sa 4% e PBB-së, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është sa 6% e PBB-së.
Nga analiza e barrës tatimore, për Shqipërinë duket se pesha direkte është afër 8% të barrës tatimore gjithsej të vendit.
Ndërkohë, në Malin e Zi, pesha e barrës tatimore që merret nga shpenzimet e turistëve të huaj arrin deri 16% të barrës tatimore gjithsej.
Në vendet e tjera të rajonit, barra tatimore nga shpenzimet e turistëve nuk kalon nivelin e 5% të barrës tatimore gjithsej të këtyre vendeve
Sa shpenzon turisti në Ballkanin Perëndimor?
Në një mesatare të shpenzimeve së vizitorëve të vendeve të ndryshme në vendet e Ballkanit Perëndimor rezulton se në vitin 2019, kostoja mesatarisht ishte 184 Euro për vizitor, në vitin 2023 ishte 180 Euro për vizitor dhe në 2024 vlerësohet se shkojnë në 209 Euro për vizitor.
Struktura e shpenzimeve përbëhet nga 35 – 40% e shpenzimit ditor për akomodim, 50 – 55% për ushqim dhe argëtim dhe 5 – 15% për transport dhe vizita në vende tërheqëse (muze, parqe arkeologjike, kinema etj.).
Mali i Zi duket se i kushton një vizitori gjatë qëndrimit të tij në këtë vend mesatarisht 248 Euro në vitin 2023 dhe kostot për 2024 llogariten se janë rritur, për arsye të zgjatjes së kohëqëndrimit (paketa më elastike), si dhe rritjes së kostove që ndikojnë mbi çmimin e elementëve përbërës.
Shqipëria mban vendin e dytë për koston mesatare të lartë për vizitor me 221 Euro në vitin 2023 dhe sipas llogaritjeve me 247 Euro në vitin 2024, për të njëjtat arsye si në përshkrimin më lart.
Vendi me koston më të ulët për vizitorët e huaj është Bosnjë-Hercegovina (145 Euro për vizitor në 2023 dhe vlerësohet në 158 Euro për vizitor në 2024), për arsye të kohëqëndrimit mesatar më të ulët, por edhe për arsye të kostove ushqimore dhe akomoduese më ekonomike, edhe pse vizitorët në këtë vend nisen nga motive kulturore, historike, familjare dhe atraksione dimërore
Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia tregojnë një kosto për vizitor në 2023 midis 161 Euro në Kosovë, 154 Euro në Maqedoninë e Veriut dhe 165 Euro në Serbi. Në vitin 2024 llogaritet se kostoja për vizitor është rritur në të tre vendet ballkanike, respektivisht sipas renditjes në 180 Euro për vizitor, 176 Euro për vizitor dhe 193 Euro për vizitor.
Sipas llogaritjeve nga Banka Botërore, e përafruar edhe nga llogaritjet e ekspertëve tanë vlerësohet se, në vitet e fundit afër 30% e buxhetit që shpenzon një vizitor i huaj për pushime në vendet ballkanike i përket bizneseve partnere me kapital të huaj.
Ndërkohë, nga pjesa tjetër prej 70% e buxhetit që shpenzon ço vizitor që hyn në këto vende, më shumë se gjysma e saj shkon për bizneset e mesme dhe të mëdha të vendit që kanë investuar në aktivitetet kryesore të industrisë së turizmit.
Njw analizw tw detajuar tw arsyeve lidhur me kostot e turistëve e gjeni te analiza (Pika 2.)
Sa mundemi të përmbushim pritshmëritë e turistëve në Shqipëri?
Nga përmbledhja e të dhënave të kapacitetit të shtretërve, shihet se për gjithë vitin kapaciteti akomodues i Shqipërisë është 94.7 milionë shtretër apo 7.9 milionë shtretër në muaj.
Në një llogaritje të tyre duke i konvertuar në netëqëndrime, atëherë rezulton se kapaciteti mbartës akomodues arrin deri në 23.7 netë qëndrime në vit, apo 1.9 milionë netë qëndrime në muaj.
Nëse bëjmë një krahasim midis nivelit të zënies së shtretërve dhe numrit të hyrjeve të vizitorëve të huaj, duke mos konsideruar vizitorët me qëndrim ditor, atëherë shihet se kapacitetet akomoduese aktuale nuk mjaftojnë me numrin e lartë të vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri në 2024.
Por, nisur nga fakti që informaliteti në aktivitetet e strukturave akomoduese me qira afatshkurtër është në nivele të larta (75%), i konfirmuar nga ndryshimi ligjor për përfshirjen e këtyre strukturave si njësi akomoduese, atëherë kuptohet se një pjesë e akomodimeve janë përballuar nga këto njësi, të cilat nuk përfshihen në statistikat zyrtare. Por edhe për hotelet dhe strukturat e ngjashme ka edhe mosregjistrime, si dhe nëndeklarime të xhiros, por në nivele pak më të ulëta se njësitë akomoduese me qira afatshkurtër.
Fuqi punëtore në sektorin e aktiviteteve turistike llogaritet se përbën deri në 4% të të punësuarve gjithsej në vend, si dhe sa 10% e të punësuarve formalë të sektorit privat.
Raporti i numrit të punonjësve për 1.000 turistë, i cili është në nivele të njëjta edhe për vitin 2024 qëndron 2.9 herë më i ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
Kjo do të thotë se kapacitetet mesatare në tregjet e zhvilluara turistike shërbejnë me të paktën 25 punonjës për 1.000 turistë.
Ky nivel punësimi, që brenda tij nuk përfshin edhe punonjësit sezonalë në një masë të madhe, si dhe punonjësit pa pagesë në biznesin familjar, si dhe të vetëpunësuar me pagë natyrisht është pjesë e informalitetit të përhapur në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku deklarohet se informaliteti arrin deri 30%, i përmbledhur për vitin 2019 edhe nga një analizë e ALTAX.
Puna me kohë të pjesshme është shumë e rëndësishme në industrinë e turizmit sesa në ekonominë e gjerë. Gjatë katër viteve nga 2021 deri në 2024, punonjësit me kohë të pjesshme përfaqësonin gati dy të tretat (69%) të punësimit total të turizmit. Kjo është afërsisht 30% më shumë po të krahasohet me nivelin prej 39% të punësimeve me kohë të pjesshme në industrinë botërore të turizmit në tërësi.
Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.
Në fund të 6-mujorit të parë 2024 punonjësit në sektorin e turizmit dhe udhëtimeve fituan një pagë mesatare prej 69.500 lekë/muaj
Gjatë vitit 2023, punonjësit e turizmit dhe udhëtimeve fituan një pagë mesatare prej 60.000 lekë në muaj (bruto), krahasuar me 56.000 Lekë në muaj në 2022. Megjithatë, orët mesatare javore janë më të ulëta në turizëm (31 orë) sesa në ekonominë e gjerë (33 orë), ndërkohë që prevalenca e punës së përkohshme dhe sezonale është më e lartë, duke mbështetur fleksibilitet më të madh.
Profesionet elementare (puna e thjeshtë) përbëjnë mbi një të tretën (36%) të roleve të punës në turizëm, duke theksuar se si turizmi ofron mundësi që mund t’u përshtaten punonjësve relativisht të rinj, me kualifikim më të ulët ose me kohë të pjesshme, duke përfshirë ata që sapo kanë filluar karrierën e tyre.
Në një shikim të shpërndarjes së punonjësve në industrinë turistike sipas zonave, vërehet se tregu i punës, në rajonet bregdetare, ku pjesëmarrja e turistëve është më e lartë ka nivel më të lartë se rajonet e tjera të fuqisë punëtore.
Kështu, në sektorin e shërbimeve në Durrës, Vlorë, Lezhë numri punonjësve është në nivele respektive 48.5%, 49.1% dhe 48.5% në raport me totalin e punësimit në këto qarqe. Ndërkohë Tirana ka të përfshirë 66.7% të fuqisë punëtore në sektorin e shërbimeve.
Në lidhje me shpërndarjen gjinore, shihet se në 2023 tregu i punës në industrinë e turizmit shihet se përbëhet në nivelin prej 46% nga femra dhe 54% nga meshkuj, një tendencë që vjen në rënie për meshkujt. Ky raport është ndryshe nga vendet e tjera, ku industria e udhëtimeve dhe turizmit ofron më shumë mundësi për punësimin e femrave sesa shihet ky raport në ekonomi në tërësi. Ky raport është në favor të femrave duke arritur në 52% dhe meshkujt në 48% të tregut të punës në turizëm dhe udhëtime.
Në lidhje me nivelin e edukimit të tyre shihet se tregu i punës në këtë sektor përbëhet në nivelin 75% nga të rinj dhe të reja me arsim 9-vjeçar dhe të mesëm.
Industria e turizmit është e njohur për kërkesën e saj të lartë për energji, duke përfshirë objektet e akomodimit, transportin dhe aktivitetet rekreative. Hotelet, vendpushimet dhe objektet e tjera të akomodimit kërkojnë burime të konsiderueshme energjie për ngrohje, ftohje, ndriçim dhe furnizim me ujë etj..
Në analizën midis të dhënave të konsumit të energjisë elektrike, të llogaritur nga ekspertët si shtesë nga vizitorët e huaj (Tab.23) si dhe të dhënave të konsumit faktik të energjisë elektrike në periudhën 2021 – 2024 (6m.I), rezulton se të dhënat e konsumit faktik në 2022 nuk justifikojnë konsumin real, pasi janë 10 GWh më pak se 2021, me një logjikë që nuk gjen baza krahasimi.
Po kështu edhe për vitin 2023 është e njëjta qasje argumentuese.
Ndërkohë, për 6-mujorin e parë 2024 duket se konsumi i energjisë tejkalon llogaritjet tona, duke kuptuar se sasia e konsumit mesatar për vizitor të huaj në vitin 2024 është më e lartë nga llogaritjet tona.
Ndërkohë, shihet dukshëm se sasia e shtuar e konsumit të energjisë tregon për një evazion të lartë në bizneset familjare, të cilat zënë një pjesë të caktuar të tregut dhe që janë të regjistruara me kontrata familjare.
Kjo situatë e konsumit të energjisë elektrike tregon për rezervat e mëdha të informalitetit në këtë industri, por nga ana tjetër edhe për humbjet e energjisë (teknike dhe joteknike) në shpërndarjen e saj, të cilat nuk pasqyrojnë dot në mënyrë korrekte konsumin real të energjisë.
Ndërkohë, një tjetër koment në sqarim të konsumit të energjisë (me rezervat korrektuese si më sipër) është edhe inflacioni i të dhënave statistikore, që prezanton në grup numrin e vizitorëve të huaj, pa qartësuar se sa nga ata vizitorë vijnë si diasporë dhe kanë destinacion familjet e tyre.
Uji është një burim kyç në turizëm dhe shërbimet për turistët varen shumë prej tij. Uji mund të bëhet një pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm, një kufizim në aktivitetet turistike dhe një çështje konflikti me banorët vendas mbi shpërndarjen dhe çmimin, veçanërisht kur uji është një pasuri që është me pakicë apo shpërdorohet (rasti Shqipërisë).
Në analizën që ne bëjmë lidhur me furnizimin me ujë gjatë viteve të fundit dhe sasisë së nevojshme për furnizim me ujë për konsum nga vizitorët shihet një humbje nga furnizimi total me ujë prej 64% në mesataren e vendit, diferencë që nuk justifikon banorët aktualë në Shqipëri dhe është e nevojshme që fokusi në këtë drejtim me peshë të jetë shumë më tepër në mirëadministrimin e shoqërive të UK
Në llogaritjen e konsumit të ujit në ditë, statistikat e huaja tregojnë se mesatarisht një turist përdor 84 litra ujë. Kjo është një sasi e moderuar pasi konsumi i ujit është i varur me tipologjinë e turistit, por edhe vendin e origjinës së tij.
Duke e pranuar këtë statistikë mesatarizuese midis sasisë së ujit të prodhuar dhe shpërndarë për banor dhe hyrjeve të vizitorëve të huaj, llogaritet se prodhimi aktual i ujit të pijshëm duhet të përballojë një kërkesë vjetore prej 2 miliard litra ujë (2 milion m³/Ujë në vit).
Por, nëse konsiderojmë pritshmëritë për rritje të fluksit të turistëve deri në 20 milion në vit, atëherë llogaritet se nevojitet të prodhohen dhe shpërndahen për familjet dhe njësitë akomoduese dhe shërbimet ushqimore e shërbime të tjera mbi 7 miliard litra ujë në vit.
Nisur nga konsumi i përbashkët në sezonin veror, ne llogaritim se sasia e furnizimit me ujë është e pamjaftueshme me këtë ritëm investimesh si deri më sot, si dhe nëse nuk kryhen në kohë reale investimet e reja sipas Strategjisë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve, 2023 – 2030.
Ndërkohë, lidhur me menaxhimin e ujërave të ndotura, duket se situata e ujërave larës është në nivele të larta të ndotjes me një cilësi të mirë deri në të keqe deri në 60% duket se investimet dhe masat e ndërmarra nuk kanë arritur ende të renditin ujërat larës të plazheve shqiptare në cilësinë e shkëlqyer në 95% të tyre.
Po kështu edhe ndotja e ajrit ka përmasa të larta të ndotjes në pothuajse gjithë territorin që konsiderohet edhe si destinacion turistik, situatë dhe propozime të cilat ALTAX i ka trajtuar në një analizë të veçantë.
Siç theksohet shpesh nga ekspertët mjedisorë, turizmi mund të jetë burim i të njëjtave lloje të ndotjes si çdo industri tjetër, duke përfshirë emetimet e ndotjes së ajrit, zhurmën, mbeturinat, shkarkimin e ujërave të zeza industriale dhe lokale, kimikatet, madje edhe ndotjen arkitektonike/vizuale.
Gjithashtu, disa ekspertë tregojnë se emetimet e ndotjes së ajrit të shkaktuar nga turizmi janë më të mëdha se nga sektorët e tjerë të shërbimeve.
Prandaj, zhvillimi i turizmit duhet parë me balancën e kosto përfitimit jo në këndvështrimin e ngushtë rajonal dhe afatshkurtër, pasi rezultatet e studimeve të mëparshme zbulojnë se ekziston një lidhje midis intensitetit të trafikut turistik dhe nivelit të ndotjes së ajrit me NO2, CO2, PM2.5, PM10.
Mbetjet organike vazhdojnë të dominojnë menaxhimin e mbetjeve urbane. Kjo kategori zë peshën më të madhe të mbetjeve urbane të menaxhuara, me një peshë që ka mbetur relativisht e qëndrueshme, 57-58 %, në tre vitet e fundit. Ndërkohë, nëse përfshijmë ndotjen nga turistët sipas EPA, një person mesatar amerikan prodhojë rreth 2.6 kg plehra në ditë, ndërsa një person në Europë gjeneron mesatarisht 1.4 kg plehra në ditë, por kjo mesatare ndryshon nga vendi në vend brenda BE-së.
Nëse llogaritim numrin e vizitorëve për vitin 2023 mbetjet e krijuara nga ta e kalojnë sasinë prej 42.6 mijë tonë mbetje (14.2 mijë tonë x 3 ditë qëndrimi), kryesisht si mbetje organike, plastike, qelqi, druri, metalike.
Mbetjet që aktualisht krijohen në gjithë zonat e Shqipërisë janë më shumë se mbetjet që gjenerohen në qarkun e Beratit, apo pak më pak se mbetjet që gjenerohen gjatë gjithë vitit në qarkun e Shkodrës, çfarë do të thotë se gjenerimi i tyre krijon probleme të mprehta për menaxhimin e tyre në nivelin aktual të kapaciteteve vendore.
Mireqenia e familjeve nga turizmi
Në krahasim me vitin 2021, niveli i përballueshmërisë së shpenzimeve mujore familjare në krahasim me të ardhurat e disponueshme për familje është sa 73% e shpenzimeve mesatare mujore për konsum familjar. Sipas përballueshmërisë së shpenzimeve familjare shihet se ka një përmirësim të mirëqenies së familjeve në kuadër të shpenzimeve mujore me 5% më shumë për vetëm 4 vite. Por, në një qasje më të gjerë të mirëqenies së qytetarëve ne shikojmë se si është situata e lidhur me shpërndarjen e të ardhurave sipas grupeve të ndryshme të qytetarëve.
Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qënë të varfër, kundrejt rreth 622.705 individë të vlerësuar në vitin 2021. Pra, shihet se numri i individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 7,4 %.
Nëse shikojmë nivelin e koeficientit GINI, në vitin 2022 është vlerësuar 31,0 %, duke pësuar rënie me 2 pikë përqindje nga viti 2021, por që mbetet në nivele me të paktën 1.4 përqind më lartë se mesatarja e BE-së.
Perfitimi i buxhetit të qeverise nga turizmi
Pesha e industrisë së turizmit (aktivitetet direkte dhe indirekte), llogaritet se kontribuon mesatarisht në 3 vitet e fundit në 8-9% të të ardhurave tatimore të buxhetit të shtetit (46-50 miliard lekë/vit). Ndërkohë, kontributi nga aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore bashkë me transportin është mesatarisht deri 3% e të ardhurave tatimore.
Për vitin 2024 ky efekt llogaritet të jetë 9.5% në raport me të ardhurat tatimore 2024, pra një rritje e peshës e vogël, për arsye të rritjes së lehtë të shpenzimeve të kryera nga vizitorët e huaj gjatë 9-mujorit 2024
Të ardhurat tatimore nga industria turistike mund të ishin të paktën deri në 11%, nëse nuk do të jenë në fuqi përjashtimet dhe lehtësitë tatimore.
Gjithë rajonet turistike kanë një barrë vjetore të TVSH nga 1% nw Berat, Sarandë, Lezhë dhe Shkodër, 2% në Vlorë deri në 4% në rajonin e Durrësit, ku turizmi mban peshën kryesoire në këto pwrqindje.
Ndërkohë ndikimi nga largimi i të paktën më shumë se 1 vit i 23 mijë qytetarëve në secilin nga vitet e fundit ul konsumin me të paktën 2% të PBB-së vjetore, që do të thotë të paktën një humbje për të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme sa 8% e asaj që arkëtohet për buxhetin e shtetit. Por vlera e rikuperuar nga vizitorët e huaj, të cilët në vitet e fundit kanë një hyrje vjetore valute të huaj në 2023 prej 4.2 miliard Euro (të konvertuar nga gjithë valutat) dhe një hyrje të pritshme prej 4.4 miliard Euro, kjo e tejkalon 1.5 herë efektin e boshllëkut të konsumit nga largimet e qytetarëve shqiptarë.
Një krahasim i të ardhurave nga tatimi mbi qeranë për vitet 2021 – 2023 tregon qartë rezervën e madhe, pasi nëse në vitin 2021 ky tatim ka një vlerë të ulët në raport me stokun e rritur të pasurive të paluajtshme në vend, vijon me rritje të lehtë për vitet 2022 dhe 2023.
Në industrinë e turizmit kontributi fiskal mesatar për të punësuar direkt dhe indirekt është 10.000 lekë në muaj, apo 120.000 lekë në vit (përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të paguara nga punëdhënësi dhe pjesa që mbahet te paga e punëmarrësit.
Nga këto pagesa, pesha e turizmit është sa 1.5% e gjithë pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të bizneseve private.
Investimet e kryera nga buxheti në 4 vitet e fundit është deri 140 miliard lekë (fonde të brendshme dhe të huaja), ku drejtimet kryesore janë infrastruktura rrugore për lidhjen e destinacioneve turistike, infrastruktura portuale, infrastruktura e ujësjellës-kanalizimeve, mjedisi dhe mbrojtja e natyrës, urbanizimi qyteteve dhe projekti 100 fshatrat, trashëgimnia kulturore, arti dhe kultura, politikat dhe investimet e logjistikës dhe marketingut për turizmin.
Ndikimi i investimeve publike me synim turizmin, i cili gjatë 4 viteve të fundit (2021 – 2024) wshtw sa 27% e investimeve kapitale gjithsej ka një ndikim me 1% në rritjen ekonomike bashkë me investimet private në tre vitet e fundit.
Buxheti bashkive
Mendimi fillestar i taksave turistike është të krijohet një përfitim nga të ardhurat tatimore nga turizmi në përfitim më shumë në rishpërndarjen e fondeve të buxhetit vendor dhe qendror për komunitetet lokale në raport me shqetësimet dhe efektet negative që sjell me vete fluksi i shquar i vizitorëve të huaj.
Në buxhetet vendore sot përfitohet vetëm një taksë direkte që paguhet në çmimin e qëndrimit nga turistët, që është taksa e fjetjes në hotel dhe akomodime të ngjashme.
Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall) përfaqësojnë rreth 86% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore.
Një nivel tregues i të ardhurave të veta vendore me një rritje prej 16.2 miliard lekë është edhe pjesë e kontributit të zhvillimit të turizmit, i cili ndikon në këtë performancë lokale me të paktën 5% të barrës fiskale vendore, që vjen prej taksës së pasurisë, taksës së fjetjes në hotel si dhe tarifave vendore që lidhen me aktivitetet në zonat turistike.
Megjithë rritjen përfituese prej taksave dhe tarifave vendore me të paktë 1.7 miliard lekë nga aktivitetet turistike nga ekspertët vlerësohet se rezerva në të ardhurat e munguara tatimore nga aktivitetet e industrisë turistike është afër po aq sa arkëtohet nga bashkitë në vitin 2023 (5% e të ardhurave të veta vendore).
Nëse shikojmë se si buxheti që mblidhet nga pushteti vendor, por edhe nga qeverisja qendrore për aktivitetet e hoteleve dhe të ngjashme, si dhe nga aktivitetet e qerave dhe shërbimeve ushqimore dhe transporti i brendshëm kuptohet se vlera e tyre sipas llogaritjeve tona arrin deri sa 7% e gjithë të ardhurave të buxhetit të shtetit të vitit 2023, apo afër 41 miliard lekë.
Nga të dhënat e disponueshme zyrtare për vitin 2021 numri i bizneseve aktive gjithsej në vend ishte 114.741 leje aktiviteti. Nga këto, aktivitetet e shërbimeve turistike zinin 18.7% të totalit të bizneseve. Në vitin 2022, numri i bizneseve aktive gjithsej në vend ishte 125.222 leje aktiviteti (+10.481 biznese).
Nga këto, aktivitetet e shërbimeve turistike (akomodim dhe shërbime ushqimore) zinin 19% të totalit të bizneseve. Te detajuar dhe me shperndarje rajonale e gjeni te analiza e plote.
Zhvillimi i sektorëve ekonomikë të lidhur me turizmin
Në vitin 2023 pesha që zënë sektorët e lidhur drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) është 6.41% dhe është rritur me 1.59% të PBB-së, krahasuar me vitin 2021.
Nga të dhëna paraprake për zhvillimin e e industrisë së turizmit në dy tremujorët e vitit 2024 llogaritjet arrijnë se pesha e tyre është rritur edhe me 1.2% të PBB-së së vitit, duke arritur deri 7.6% të PBB-së (Tab.39).
Nëse nisemi nga niveli i pagesave për gjithë aktivitetet që janë pjesë e industrisë së turizmit direkt dhe indirekt, atëherë duket se pesha e tyre arrin deri në 19.7% të PBB-së të vitit 2023.
Efektet nga mbiçmimi lekut
Nëse kuptojmë vlerën e parasë së hyrë në vitin 2023 në shumën gjithsej 4.2 miliardë euro dhe një deklarim në ekonominë formale jo më shumë se 6% e saj, atëherë kjo duket se mund të zgjidhet duke vendosur referenca dhe zgjidhje të tjera aspak të drejta dhe jashtë parimeve të administrimit modern fiskal.
Leku shqiptar po vijon edhe gjatë 6-mujorit të dytë 2024 të mbiçmohet edhe pse si arsye zyrtare përmenden ekonomia e fortë dhe rezistente, si dhe hyrjet nga vizitorët e huaj dhe flukset e huaja të kapitalit bashkë me remitancat. Në realitetin e të dhënave për këto elementë ndikuesë, ne shikojmë se nuk e kanë forcën për të ndikuar një Lek edhe më të fortë se në vitin 2023.
Ekonomia nuk ka bum zhvillimi dhe rritje të prodhimit, por një rritje që pritet të shkojë deri në 3.4% në terma vjetorë, e bazuar kryesisht te ndërtimi dhe shërbimet e ndryshme përfshirë edhe tregtinë dhe shërbimet që hyjnë te turizmi.
Ndërkohë, flukset hyrëse janë në trende normale të përvitshme rritje bashkë me flukset hyrëse nga vizitorët e huaj. Remitancat kanë një trend rritës jonormal, që ndikon pak në mbiçmimin e lekut, pasi shumat në rritje shkojnë për blerje në pasuri të paluajtshme.
Efektet po i ndien më shumë ekonomia formale dhe ndikimi më i fortë shkon te prodhuesit që tashmë kanë humbur jo vetëm konkurueshmërinë e fituar në vitet e fundit, por edhe burimet për të investuar për të shndërruar bizneset e tyre sipas kushteve të reja të tregut, të ndikuara nga faktorë jashtë ekonomisë formale.
Ekonomia informale në vitet e fundit mban 6 nga 10 punëtorë dhe 8 në çdo 10 biznese dhe kontribuon mesatarisht në rreth 30% të PBB-së.
Tre vite rritje të shpejtë të fluksit të vizitorëve, me ndikim edhe në hyrjet e valutave të huaja në ekonominë shqiptare (formale dhe informale), ku e veçanta është edhe qarkullimi i vizitorëve në shumë destinacione,tashmë kërkojnë me shpejtësi reagimin e politikave të përgjegjshme për të orientuar vendin drejt modelit të turizmit të qëndrueshëm.
E tashmja dhe aq më shumë e ardhmja e ka të domosdoshme këtë qasje gjithpërfshirëse, në përpjekje për të zgjidhur edhe problemet që po fillon të shkaktojë turizmi i paqëndrueshëm ndër vite.
Nëse praktikat e përgjegjshme të turizmit nuk përdoren, atëherë jemi në kushtet kur turizmi mund dhe po shkakton dëm të konsiderueshëm në ekonomi, shoqëri dhe mjedis.
Tiranë, 8 Nëntor 2024