Prej dy javësh, Policia e Shtetit është në terren me një plan të posaçëm për sezonin turistik veror 2025, me qëllim garantimin e sigurisë, qetësisë dhe mbrojtjen e hapësirave publike në zonat bregdetare dhe urbane.
Në vijën bregdetare, janë bllokuar 16 mjete lundruese (Jet Ski dhe skafe) që shkelën perimetrin e sigurisë, ndërsa drejtuesit u gjobitën me nga 100 mijë lekë secili. Po ashtu, në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, janë sekuestruar mbi 1200 komplete çadrash dhe shezlongësh të vendosura në mënyrë të paligjshme, dhe janë ndjekur penalisht 27 persona.
Janë liruar gjithashtu disa hapësira publike të zëna për qëllime fitimi, kryesisht për parkim pa leje, ndërsa në qytete si Tirana, Durrësi e Vlora janë larguar me karrotrec qindra automjete e motomjete të parkuara gabim.
Kontrollet për ndotjen akustike dhe atë mjedisore kanë çuar në bllokimin e dhjetëra mjeteve dhe në ndjekjen penale të dhjetëra personave, për shkelje që cenojnë ambientin dhe qetësinë publike.









