Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi deklaroi se seanca që u zhvillua të enjten ishte ashtu siç duhet të jetë me debate dhe argumente të forta.
“Ajo e së enjtes është një seancë e cila i dha mundësinë opozitës të shprehë qëndrimet e saj në raport me një aspekt kaq të rëndësishëm siç ishte buxheti. Ne nuk kemi marrë kurrë vendimin për të braktisur parlamentin. Kishim mbetur vetëm 7-8 deputetë pa përjashtuar, të tjerët ishin të përjashtuar pa ligj. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar përjashtimet afatgjata, ky mekanizëm represiv parlamentar antikushtetuese dhe antiparlamentar i kishte nxjerrë jashtë kuvendit deputetët e opozitës”, tha Bylykbashi.
Ai theksoi se Edi Rama ka si qëllim që të mbajë opozitën jashtë nga parlamenti.
“Akuza është për Spiropalin, nëse nuk do kishte qenë vendimi i gjykatës që e shfuqizoi…kanë ndërmend dhe ta ankimojnë në Apel. Pra, qëllimi për të vazhduar për ta mbajtur opozitën jashtë është i qëndrueshëm, është i Edi Ramës. Vetëm komision etike nuk është. Kur ne e thërrasim për të shqyrtuar kërkesat tona nuk mblidhet. Vendimi për përjashtimin e kolegëve, kishte firmën e ish-deputetit të arrestuar Cyrbja. Grupi parlamentar i opozitës i përzënë. Kryetari i kuvendit është numri dy i Republikës, nuk është një pozicion për të hipur e zbritur nga makina. Rregullorja është e një kampi përqendrimi, opozita disiplinohet si të jetë armiku. U përdor Garda dhe policia. Parlamenti është i padhunueshëm, ndërkohë para dy javësh patëm policinë e shtetit që ndërhyri në mënyrë antikushtetuese”, tha Bylykbashi.