Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali me anë të një postimi në rrjetin e saj social i është drejtuar me një mesazh qytetarëve për miratimin e buxhetit 2025. Spiropali shprehet se ligji i buxhetit të vitit 2025 nuk është thjesht një ligj financiar, por në të jetësohet vizioni i qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm.
“Buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të rritjes ekonomike të qëndrueshme në nivelin 3.9 përqind, rritjen e të ardhurave buxhetore e të ardhurave tatimore dhe uljen e borxhit publik.
Treguesit e parashikuar garantojnë zhvillimin e rritje, por edhe përkthimin e këtyre treguesve në mirëqenie për qytetarët.
Do të rriten financimet nga buxheti i shtetit për të gjithë sektorët: arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, infrastrukturën dhe energjinë etj.
Buxheti do të garantojë rritjen e nivelit të pagave e të gjithë punonjësve të administratës vendore dhe do të mbështesë sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave e përfitimeve edhe për punonjësit e sektorit privat.
Përveç mbështetjes së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve publike, buxheti parashikon burimet e nevojshme financiare për shpenzimet sociale për të garantuar mbështetjen e grupeve më në nevojë të popullsisë, rritjen e Fondit të Sigurimeve Shoqërore për garantimin e rritjes së pensioneve, rritjen e Fondit për Sigurimet e Kujdesit Shëndetësor, të Fondit të Kompensimit të Pronarëve, pagesës së papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, përfitimeve për invalidët e punës, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. “, shprehet Spiropali.
Ajo thekson se buxheti nuk është i qeverisë dhe i Kuvendit, është buxheti për qytetarët. Në fund Spiropali falënderon të gjithë ekspertët, organizatat e shoqërisë civile, grupet e interesit, institucionet e pavarura, deputetët dhe punonjësit publikë, që kanë punuar me përkushtim për të përgatitur këtë buxhet dhe për të mbështetur procesin e shqyrtimit dhe debatit në Kuvend.









