Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në Shkodër, ku 15-vjeçari nga Postriba, i identifikuar si djali i Agim Bibaj, ka humbur kontaktet me familjen prej dy ditësh.
Sipas babait të tij, i riu kishte shkuar për në shkollë në mëngjesin e 10 nëntorit, por nuk ishte futur në mësim dhe ishte larguar në drejtim të paditur.
Familja e alarmuar ka denoncuar rastin në polici më 11 nëntor, dhe nga atëherë forcat e policisë janë angazhuar për të zbardhur misterin e zhdukjes së tij.
Babai ka shpjeguar se dyshon se largimi i djalit mund të ketë ardhur si pasojë e disa këshillave dhe të qortimeve që ai i kishte dhënë për sjellje të këqija, të cilat duket se e kishin mërzitur 15-vjeçarin.
“Djali më ka humb dje. Ka shkuar për në shkollë, shokët e tij kanë shkuar në shkollë, ai nuk ka shkuar. Kam ikur në punë herët. Kur jam kthyer më ka thënë nusja që nuk është kthyer akoma. Policia ka bërë gjithë të mirat, por akoma nuk është gjetur gjë”, tha Bibaj.
“Kishte bërë disa sherre dhe i kam bërtitur. Ai i kishte thënë shokëve të vet që ‘kam frikë të shkoj në shtëpi se mos më rreh babai, do iki në Tiranë’. I kam bërtitur vetë, që të mos bëjë sherre me njeri. Djalin kërkoj, e kërkon nëna, motra dhe vëllezërit”, tha ai më tej.
Ai gjithashtu ka kërkuar që çdo person që ka informacione për vendndodhjen e djalit të njoftojë autoritetet.