Pas operacionit të suksesshëm të zhvilluar në Tiranë dhe rrethinat e saj, ku u lokalizua një laborator i përpunimit të kokainës, Eurojust ka reaguar duke theksuar mbështetjen e saj për autoritetet shqiptare. Gjatë aksionit, dhjetë anëtarë të dyshuar të një rrjeti kriminal të trafikut të drogës u arrestuan, ndërsa një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës u sekuestrua. Ky grup, që operonte nga Amerika Latine dhe kalonte kokainën përmes Italisë në Shqipëri, e më pas në disa shtete evropiane, ishte nën hetim që nga viti 2023 nga SPAK.
Në përfundim të operacionit, janë sekuestruar gjithashtu materiale të ndryshme, përfshirë 50 ton lëndë të parë dhe 90 kg materiale për përzierjen e kokainës. Eurojust ka asistuar në koordinimin e hetimeve mes Shqipërisë dhe autoriteteve italiane, duke kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.