Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe policia e Vlorës kanë zhvilluar një aksion të gjerë kontrolli në rrethrrotullimin e Skelës, me fokus zbulimin e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri. Aksioni përfshin kontrollin e automjeteve të shtrenjta dhe atyre me xhama të zinj, si dhe verifikimin e drejtuesve të mjeteve për praninë e armëve, sendeve të forta, mjeteve prerëse, ose lëndëve narkotike.
Përmes këtyre kontrolleve, autoritetet kanë për qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale, duke i dhënë përparësi kapjes së individëve të kërkuar dhe luftës kundër armëmbajtjes pa leje.