Ajo që kryeprokurori Dumani deklaroi në Kuvend se “krimi në Shqipëri është i lidhur me politikën dhe mjaft politikanë të rëndësishëm janë jo vetëm mbështetës, por edhe pjesë e krimit“, nuk ishte e papritur. Ishte dhe mbetet njëra nga gjërat më të njohura prej viteve, por fakti që, këtë e theksoi njeriu më i rëndësishëm i strukturës se sistemit të ri të drejtësissë, e bën edhe më të pranishme të vërtetën.
Në Shqipëri, si në pak vende të tjera, krimi dhe politika kanë bashkërenduar që në muajt e parë të pluralizmit, kur njësitë e reja që po vinin në politikë, të deleguara apo jo, nuk mund të bënin pa ngritur këto struktura njësuese, të cilat, përmes dhunës fillimisht, e më pas përmes krimit të hapur, u vendosën si mbështetëse të politikës, deri sa një pjesë e tyre u bënë vendosës në politikë.
Asnjëra nga partitë e mëdha politike nuk ka alibi për të kundërtën. Pushteti ka ardhur ose ka ikur përmes tyre; njerëz të lidhur me bandat janë bërë pjesë e politikës, kanë vendosur herë pas here mbi politikën, sidomos urbane, dhe, në fund, kanë pritur shpërblimin e tyre.
Prokurori Dumani është e natyrshme të ketë të dhëna të bollshme, qoftë përmes strukturës që drejton, apo të tjerave që bashkërendojnë me të, por, edhe ajo që dihet në një prokurori speciale , është shumë pak nga e vërteta e plotë, nga aliazhi i vendosur mes politikës dhe krimit, mes njerëzve të politikës dhe bandave të krimit, sa që, shpesh herë, nuk dihet kufiri i njerës apo i tjetrës.
Korrupsioni politik ka qenë fillesa, marrja e pushtetit ka qenë vazhdimi, deri sa krimi ka kërkuar hesapet e veta.
Arrestimet që kanë ndodhur apo gjykimet që po përgatiten, e që kanë në objekt pjesë të rëndësishme të klasës politike, të shkuar apo të tashme, janë shenjat që, nëse do të gërmohej më thellë, shumë nga ata që janë sot në parlamentin e Shqipërisë do të ishin në njërin nga burgjet sigurisë së lartë.
34 vitet e pluralizmit në Shqipëri janë një kohë moralisht e dështuar. Janë bjerrje të shpresës së madhe që kishin studentët për një Shqipëri ndryshe dhe humbja e besimit të qytetarëve shqiptarë se ky vend do të bëhet. Në këto tri e gjysëm dekada u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendëse një klasë politike çoroditëse, thellësisht zhvatëse, që ka krijuar oazet e saj politikë, financiarë dhe të krimit; resorte të habitshme, shumica përmes parasë së pistë.
Nëse në marsin e vitit 1992 kishte një fillesë shprese se do të ndryshonte ky vend i bekuar dhe, nëse në qershorin e vitit 2013 kjo shpresë u përsërit, e të gjitha humbën, kjo ka të bëjë pikërisht me këtë klasë politike, e cila, mjerisht, asnjëherë, edhe kur krimi ishte flagrant, nuk u ndëshkua, nuk u skuq dhe vazhdon të jetë përsëri e njëjta, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë.
A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike?
Të gjithë shefat e qeverive që kanë shkuar në këto 34 vite sot janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend; thuaj të gjithë ministrat kanë qenë pjesë e barbarisë së zhvatjes së pasurisë së përbashkët; liderë politikë që janë të lidhur me banditë të rrugëve gjenden kudo; gremina financiare janë krijuar në të njëjtën kohë kur janë ngritur edhe resortet madheshtorë; kultivimi i drogës, përhapja e shitja e saj, sidomos përtej kufijve ka qenë e mbetet praktikë e zakonshme; vjedhje masive të zbuluara e të padënuara; vrasje, vetëm në Tropojë janë mbi 200 djem të rinj të vrarë, për të cilët nuk është dënuar askush, sepse klasa politike është organizatore e tyre; vrasje gjykatësish, si i ndjeri Konomi për pronat në bregdetin e lakmuar të Lalzit, vrasje protestuesish të varfër në mesin e bulevardit, ku gjithçka është bërë në dritën e diellit, barbarisht; vrasje në Gërdec, ku, megjithëse dihet fare mirë se kush ishte “sy peshkaqeni”, asnjë institucion drejtësie nuk kishte guximin minimal të thërriste një pinjoll kryeministror, vrasje në një rrugë të njohur të Shkodrës; tenderë të dhënë firmave fantazmë, ku miliona euro do të ndaheshin nga njerëzit e politikës; banditë që blejnë vota, shesin emra deputetësh, i vendosin në listat e sigurta, deputetë që kujdesen për pronat e banditëve kur këto janë në burgje dhe, në fund, si një përtallje për gjithë çka ndodhur, na ishte një KÇK, që ndalonte tek banditët e rrugëve, por bënte kujdes të mos trazojë banditët e politikës.
Koha për të pasur një gjykim për një klasë politike thellësisht të korruptuar e skajmërisht antikombëtare ka qenë prej shumë kohe. Në tri dekada e më shumë , jo rastësisht, mbi këtë vend, kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar, dhe do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.
Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtëmendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme, por vendosëse deri në vrasje, shpërthimin e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviqit e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, PPP e “famshme” që do i varen mbi shpatulla zhvillimit të vendit si një lloj grangrene financiare, në Shqipëri ndëshkueshmëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzistente.
Ajo që po bën tashmë SPAK është çka është pritur prej kohësh. Po çfarë është kjo klasë politike, e cila ka zaptuar shtetin?
Mjerisht, ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen, e më pas edhe kombin.
Kja klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti sipas alternativës tetëvjeçare, e riardhur, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stërritet e ushtron presionin e saj të kudoqofshëm, deri në absurditet, por tashmë kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet. Liderë të këtij mendimi dhe precedenti politik të pashembullt, vazhdojnë të jenë të njëjtët njerëz, që fatkeqësisht hynë në politikë me bluza të bardha, për ta gjakosur atë pas pak viteve, si askush tjetër në një shtet demokratik; që hynë si studentë idealistë, për t’u kthyer në manjatë financiarë; që u bënë pjesë si piktorë modernistë, për të krijuar sistemin zhvatës të PPP-ve; ministra që ishin mekanikë dhe u gdhinë ministra të shendetësisë; të panjohur që drejtuan dikasteret.
Në vitin 1992 mbi 75 për qind e popullsisë priste ndryshimin përmes figurës enigmatike të Berishës. Edhe sot, megjithëse në dukje jashtë pushtetit, ai ka ende në vete mjaft nga fijet që e vërdallosin këtë pushtet, sidomos në disa nga strukturat kyçe të tij. E përsëri, si ndodh rrallë, ai do të kishte pranuar çdo lloj disfate e katastrofe, financiare apo politike të “armiqve” të tij politikë, vetëm e vetëm për të arritur fitoren “e brendshme” të tij.
Mbi klanin politik berishist rëndojnë mjaft krime të pa ndëshkuara. Janë aq të shumta , sa që tani është e panevojshme ripërsëritja e tyre. Ky klan, familjar e politik, krijesë e një oligarkie politike e financiare të rrezikshme deri në skaj, është përgjegjës në një rëndesë të madhe, por jo i vetmi, në gjithë këtë katrahurë ku vërvitet një vend me resurse, me njerëz të aftë, por të pashpresë, dhe në të cilin, pasuritë e tij, si mos ma keq, sot janë shitur në koncensione të babëzitura. Atë që ka lënë pa bërë qeveria Berisha, po e bën qeveria Rama. Nëse kjo e fundit nuk vret në bulevard dhe nuk të hedh në erë si në Gërdec, të detyron të mallkosh vendin ku ke lindur, duke e braktisur atë.
A do gjykohen këta? Sistemi i drejtësisë nuk është vetëm SPAK: Ka ende shumë njerëz në drejtësinë e sotme të lidhur fuqishëm me politikën. Janë pjellë e saj, ndaj askush të mos mendojë se është një pjellë që mund të “hajë” rritësit e saj. Por, mbi të gjitha, mafia ende në këmbë e sistemit të drejtësisë është e lidhur me bandat që kanë tagrin e tyre në politikë.
Shteti, që kur është krijuar më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkueshmëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo që po ndodh sot, për fat të keq, do të jetë si atl kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë.
Besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohen ashtu si e meritojnë këta që kanë drejtuar në 30 vitet e fundit, jo vetëm si persona publikë, por si precedentë të rrezikshëm politik e financiar, ka filluar të humbasë. E bashkë me to, edhe besimi i një njeriu që ka pritur gjithë shpresë kthimin nga e mbara të vendit të tij.
Ky, jam unë, si mund të jetë secili nga ne.