Deputeti i Partisë Demokratike Tomorr Alizoti ishte në takim në Hamburg në zyrat e CDU-së me tre deputetët gjermanë si Knut Fleckentejn, Hans-Joachim Falenski, Erhard Buhler.
Gjatë takimit, deputeti Tomorr Alizoti ka shprehur se opozita gjatë kësaj kohe ka bërë një betejë të fortë dhe për një kohë të gjatë iu mohua edhe logo. Ai theksoi se Rama ka gjysmën e qeverisë në burg dhe sipas tij ia ka kaluar edhe magjistarit David Koperfild për zhdukjen e gjërave.
“Duan apo nuk duan në Shqipëri e jashtë saj, Berisha është shumicë në opozitën shqiptare. Politika nuk ndodh në teori apo me ëndrra e dëshira, por në realitet. Ne jemi realiteti i cili po përballet e do të përballet ditët e zgjedhjeve me kartelet e drogës.
Kemi një kryeministër i cili gjysmën e qeverisë e ka në burg. Kemi një ish-zëvendës kryeministër të arratisur. Kemi inceneratorë që kanë kushtuar gati gjysmë miliard dollarë dhe nuk ekzistojnë apo funksionojnë.
Rama ja ka kaluar edhe magjistarit David Koperfild për të bërë të mundur zhdukjen e gjërave’, ka thënë deputeti i PD-së.