Rezart Veleshnja, i ndaluar nga Policia e Durrësit nën akuzën për mashtrim, ka reaguar dhe ka dhënë versionin e tij lidhur me ngjarjen, ku dyshohet se ai ka marrë një automjet nga një person, përmes mashtrimit, dhe më pas e ka shitur për 2,000 euro.
Veleshnja ka shpjeguar se makina, që sipas tij kishte qenë e humbur, ka qenë përdorur nga ai në një periudhë të caktuar. Ai ka theksuar se tani është gjetur pronari i vërtetë i automjetit dhe ka deklaruar se nuk ka më asnjë lidhje me të.
Në një prononcim, Veleshnja ka thënë: “Po ju përshëndes nga Pogradeci! Ky është një automjet që kam përdorur unë, por ai ishte humbur dhe unë e përdora për një kohë. Tani është gjetur pronari i tij, dhe unë nuk kam më asnjë lidhje me këtë makinë, pasi e kam hequr. Nuk ka asgjë tjetër për të thënë, nuk ka as arrestime apo ndonjë gjë tjetër që ka ndodhur.”
Policia e Durrësit ka njoftuar se Veleshnja është ndaluar pasi ka marrë një automjet nga shtetasi Y. T., duke e mashtruar, dhe më pas e ka shitur atë.