Komisioni Evropian ka njoftuar se do të nisë një opercion për dërgimin e 50 tonëve të ndihmave në Siri përmes Turqisë.
Pajisjet për kujdes shëndetësor do të nisen prej magazinave të BE-së në Dubai dhe më pas në Adana të Turqisë, dhe më pas do të dorëzohen në Siri “në ditët në vijim” është thënë përmes një komunikate.
Më pas ndihma shtesë prej 46 tonësh do të dërgohej prej Danimarkës në Adana, ndërsa në Siri do të shpërndahet nga UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të diskutojë sërish për ndihmë humanitare, kur të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan të martën në Turqi.
“Me një situatë aq armiqësore në terren, ndihma jonë për njerëzit në Siri është edhe më e rëndësishme”, është cituar të ketë thënë ajo.