Një i plagosur, tjetri në qeli. Zbardhen detaje të reja nga plagosja në ambientet e shkollës në Cakran mëngjesin e djeshëm në Fier.
Policia e Fierit ka reaguar sërish lidhur me këtë ngjarje duke sqaruar se është vënë në pranga autori i dyshuar i plagosjes, një 17-vjeçar.
Autori i dyshuar u arrestuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë. Mësohet se sipas policisë, konflikti midis dy të miturve ka nisur pasi i dëmtuari, pretendonte se autori i dyshuar, shpërndante në rrjetet sociale fotografi të tij.
“Gjithçka nisi duke më bërë foto mua, familjes time dhe shkove të mi, gjithashtu edhe familjes së atyre. Hidhte nëpër telefon foto, ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot.
Ai nxori biçakun, gjithmonë e mbante biçakun me vete. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Unë u shmanga, u futa në klasë dhe mbylla derën, për fat të keq nuk e mbaja dot derën për shkak të shpatullës.
Ai e hapi derën, në atë moment vjen mësuesja dhe më shpëtoi nga ai djalë”, tha adoleshenti. I plagosuri aktualisht ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Thika u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.