Serbia është vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nga Ballkani Perëndimor që nuk ka respektuar masat kufizuese të miratuara nga Këshilli i BE-së për shkak të mbështetjes ushtarake të Iranit për agresionin rus në Ukrainë. Në një njoftim të sotëm, BE-ja theksoi se Serbia nuk e ka zbatuar vendimin e miratuar më 14 tetor 2024, i cili zgjeron listën e individëve dhe subjekteve që përballen me sanksione për mbështetje të aktiviteteve të dëmshme.
Të gjitha vendet e tjera kandidate nga rajoni – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina – janë rreshtuar në përputhje me politikat e BE-së, duke treguar një angazhim për të respektuar masat kufizuese. BE-ja e mirëpret këtë përkushtim dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave të jashtme mes vendeve kandidate.