E gjithë historia për dhe rreth Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erin Veliaj, si bëhet e ditur tashmë zyrtarisht, ka si fillesë një kallzim anonim, të shkurtit të vitit të shkuar, që, edhe pse person i pagjetur, pra, jo ekzistent, ka vënë në lëvizje SPAK-un.
Në fakt, është një histori e pa dëgjuar më parë, pra, ngritja e një proçesi hetimor, që ka mungesa në dy anët e saj, edhe tek anonimati, edhe te mos vënia në dijeni e përsonit që faktikisht është vënë nën hetim.
Në mos tjetër, kjo të krijon një fillesë bindje se kjo situatë ka shumë politikë brenda saj. Ndërsa vazhdimi i hetimeve, deri tani, prej 11 muajve, thuajse i gjithi në terr, krijon precedentin e rrezikshëm të një metode pune, ku pavarësia të kthehet në arrogancë dhe bindja vetjake në provë sunduese.
Nuk paragjykoj, nëse Veliaj, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës apo në postet e rolet që ka pasur më herët, është i fajshëm apo i pafajshëm. Në Shqipëri fajësia është bërë mollë e ndaluar dhe, po krijohet bindja se, në çdo gjë ku vë dorë SPAK, aty ka të vërteta të pamohuara. Por për mua, si për shumë qytetarë, jashtë çështjes Veliaj, nëse vërtetë ekziston një çështje e tillë, janë të rëndësishme dy momente thelbësore:
Së pari, rikthimi i idesë së anonimatit në sistemin e drejtësisë. Nëse një njeri nuk ekziston, si lindi mbështetja ndaj akuzës së tij?
Duhet thënë se sundimi i politikës mbi sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë i dukshëm, i pranishëm dhe po shfaqet disa herë në forma përçudnuese. Veçanërisht presioni i jashtëzakonshëm që po bëhet mbi sistemin e drejtësisë, po i shtyn ata shpesh drejt një drejtësie me peshore politike. E të mos harrojmë që, linçuesit më të mëdhenj dhe më të rrezikshëm të sistemit të ri të drejtësisë janë pikërisht ata që bartin krimet më të rënda dhe “analistë” e tyre që spekulluan në vite me të drejtën e fjalës.
P.sh pak kohë më parë, krejt papritur, pamë një ish ministër, ende i pa gjykuar, pra ende nën prezumimin e pafajsisë, të dërgohej në sallat e Kuvendit të Shqipërisë, si askush më parë. I lidhur me pranga, me togë shoqëruese, i ruajtur në çdo moment se mos arratisej, kur, në çdo etapë të hetimit të tij kishte qenë i gatshëm të paraqitej, të pyetej, të hetohej dhe nuk ishte larguar nga vendi, megjithëse mund të ishte larguar. Asnjë bandit i rrezikshëm nuk është shoqëruar kështu, as në sallat e gjyqit.
E gjithë shfaqja, që u cilësua e turpshme, bëhej vetëm për të kënaqur një pjesë të politikës shqiptare, të opozitës, që drejtonte komisionin parlamentar, ku ishte thirrur të dëshmonte ish ministri, dhe që, strukturat e policisë dhe të drejtësisë, të kishin një mbrojtje, sado minore, nga sulmet e saj.
Të kthehemi te anonimati: Ka qenë suksesi i diktaturës. Letrat nga populli kanë qenë përmbysja e shumë fateve jetësore. E gjithë stuhia në historinë e njohur si “Grupet e Naftës”, e cila mori shumë jetë njerëzore dhe qindra vite burgime për të tjerët, filloi nga një letër pasionante e një naftëtari, që i vinte pas oreksit të pushtetit, për të justifikuar ekonominë në krizë.
Të gjitha krahasimet çalojnë, çalon edhe krahasimi i tanishëm, por precedenti i krijuar mund të jetë i rëndë, nëse kjo bëhet normë dhe kthehet në përditshmëri.
Rasti Veliaj tregoi se disa struktura dhe njerëz, në politikë dhe në drejtësi, shpejtuan të krijojnë, e më pas të hetojnë pas një letre anonime, kur shumë më lehtë, ballas, do e kishin bërë këtë përmes strukturave të tyre.
Fakti që, edhe pse po hetohej, nuk informohej objekti i hetimit, në këtë rast qytetari i parë i Tiranës, fsheh në vete dëshmi të rrezikshme për të ardhmen, që tejkalojnë jetën e një njeriu të thjeshtë.
Po pyes: Sa letra, dëshmi konkrete, dhe jo nga anonimati ka dërguar familja e dëshmorit Aleks Nika në sistemin e drejtësisë, por askush, ose, më saktë, pak kush i lëvizi gjërat nga vendi?
Iu desh të vendoste Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut që gjërat të lëviznin. E pra, një vrasje e katërfishtë, me të dhëna të hollësishme për rrjedhën e ngjarjeve, shkrime, dëshmi, foto, emisione televizive, nuk kishin qenë të mjaftueshme për të ngritur një hetim!!!?
Përse ishte kaq e rëndësishme një letër anonime? Përsëris që krijimi i këtij precedenti mund të fshehë të papritura të rënda për të ardhmen, kur drejtësia mendon se mund të jetë mbi ligjet ose të marrë mbi vete atribute që nuk i takojnë asaj.
Këtu vijmë te shqetësimi i dytë.
Po sjell fragmente nga përplasja mes dy eksponentëve të rëndësishëm të opozitës, njërin nga të cilët e respektoj për përkushtimin e tij, qoftë edhe i gabuar, dhe tjetri është precedenti më i rrezikshëm i politikës përmes bjerrjes së ndërgjegjes dhe humbjes së karakterit njerëzor.
I dyti: Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit ai fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? …..
Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme?
I pari: ‘Ata oligarkë që ti mendon se i sulmon AI ( tjetri), jam unë dëshmitar që u rrinte mbas dere me Lulzim Bashën, me dorën shtrirë për të mbushur thesin”.
Tani është e lehtë të pyesim: cila nga akuzat është më e drejtëpërdrejtë: ajo e anonimatit, të cilin edhe SPAK e di se nuk ekziston, apo deklaratat publike të dy deputetëve në të njëjtën anë të politikës?
Me siguri që e dyta ka më shumë rëndësi dhe mund të jetë më e besueshme. Në “dialogun” e sipërm flitet për vila të pa ligjshme – për lidhje me bandat e drogës, zhvatje të bisnesmenëve…
Nëse mendohet se deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për fjalët që thonë, po dhjetëra e qindra artikuj në mediat e shkruara, dëshmitë në emisionet TV, a nuk kanë të njëjtën vlerë, në mos shumë e shumë më tepër se sa një dëshmi anonime?
Juristë të njohur, aspak të afërt me shumicën qeverisëse, përkudnrazi të dëshmuar si opozitarë të saj, kanë ngritur dyshime të arsyeshme ndaj krijimit të një precedenti që nuk mund të kthehet në normë.
Është apo jo kryetari i Bashkisë së Tiranës objekt i hetimit, gjykimit apo dënimit është më e pa rëndësishme se krijimi i një precedenti që mund të kthehet në bomerang për politikën shqiptare, e, jo vetëm për atë.
Sistemi i ri i drejtësisë nuk është një sport kombëtar, ku mund të luash sa nga e majta, sa nga e djathta; nuk mund të krijosh realitete abstrakte. Saktësia dhe ligji janë garancia e drejtësisë së tij relative. Ajo nuk mund të matet me listat e njerëzve të hetuar, gjykuar e dënuar, por me saktësinë e vendimeve dhe ngjalljen e besimit se ndëshkimi do të jetë i ligjshëm dhe jashtë triumfit që sjell pasojat e dëmshme të ndërtimit të tij.