Shpesh herë më pyesin se cila parti politike do të doje të fitonte në Kosovë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Ndërsa unë i drejtohem fillimisht zemrës e pastaj mendjes. Për t’iu drejtuar mendjes duhet një lloj meditimi për të kuptuar realen, atë që ekziston në fakt. Sepse zemra më çon te burimi. Burimi është LDK e Ibrahim Rugovës, parti e cila ndalon në vitin 2010 së qeni rugoviste, kur iu bë puçi politik presidentit Fatmir Sejdiu. Ajo parti e asaj kohe, sidomos e presidentit Historik, Ibrahim Rugova, ishte dhe mbetet ndoshta partia e parë djathtiste me integritet dhe autoritet të jashtëzakonshëm.
Pra, nëse nisem nga integriteti dhe autoriteti i një partie dhe nëse Lidhja Demokratike do ta kishte ruajtur atë, duke mos rënë në duart e sorosistëve, me zemër e me mendje do të doja që fituesi i zgjedhjeve të 9 shkurtit të ishte LDK. Disa figura të saj i dua, i respektoj dhe do të kisha dëshirë të ishin përfaqësues të sovranit në parlamentin e ardhshëm! Por duke medituar dhe duke lexuar rrethanat e sotme, do të isha i padrejtë me Kosovën që të kërkoja e të jepja votën për LDK-në. E di se në atë parti, kur të lexojnë këtë, disa do të lëndohen me mua. Është e drejtë e miqve të mi që militojnë në LDK ta besojnë atë dhe madje të më qortojnë edhe mua. Por do të mundohem të shpjegohem:
Thashë më lart se me mendje do të votoja e do të votoj integritetin dhe dinjitetin. Lëvizja Guxo është përfaqësuese e këtij dinjiteti dhe integriteti. Sigurisht bashkë me kryeministrin Albin Kurti. Pse duhet veotuar lëvizja Guxo dhe për pasojë edhe kryeministri aktual, Albin Kurti? Jo se qeverisja e tyre është perfekte. Unë i kam vlerësuar shumë veprime dhe qëndrime politike të tyre, por nuk kam hezituar të jem kritik në jo pak raste, edhe me zotin Kurti, edhe me zonjën Gërvalla. Sepse nuk jam konformist. Por në analizë të fundit gjykoj se ky lidership në pushtet është i nevojshëm për Kosovën e katër viteve të ardhshme. Pse mendoj kësisoj?
Së pari dhe kryesore: – Katër vitet e ardhshme janë vitet e ndryshimit të madh në ekuilibrat e botës dhe të Europës. Një rend i ri botëror do të ndryshojë pamjen e botës së sotme. Ne nuk e dimë se çfarë do të jetë ky rend i ri. Nuk e dimë nëse do të forcohet pozicioni i Rusisë apo do të dobësohet ai. Jemi para vendimmarrjeve të mëdha. Bota përjeton atë periudhë vendimmarrje si në vitin 1945 ose 1989. Madje rrrgullimi i sotëm konsiderohet si pasojë e mungesës së rregullimit të ri kur ra Muri i Berlinit. Kush do të duhej të ishte në krye të këtyre zhvillimeve në Kosovë? Yesmenët apo indipendentët? Të kapurit peng, apo politikanë pa pengje?
Te opozita nuk shoh indipendistë. Nuk shoh politikanë që u japin përparësi interesave të Kosovës në raport me interesat e tyre vetjake. Nuk do të shkoj deri aty sa të them se në opozitën kosovare shoh jo pak nga ata që pajtohen me formulat dhe zgjidhjet serbe për rajonin. Për këtë arsye besoj fort se Kosovës në këto kohë i duhet një lidership i vendosur në mbrojtjen e integritetit, sovranitetit shtetëror dhe formësimit të plotë të shtetësisë së Kosovës. Ky lidership është provuar dhe testuar tashmë. Ajo është qeverisja aktuale. Vota për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Guxo e Donika Gërvallën është votë që garanton në një masë të madhe suksesin e Kosovës në rrethanat e zhvillimeve të sotme rajonale e ndërkombëtare.
Së dyti, çdo mazhorancë në Kosovë e në rajon ka qeverisur së paku dy mandate. Mazhoranca e sotme kaloi vetëm një mandat. Me sukseset dhe mangësitë e saj. Por skandalet e kësaj qeverie në katër vitet e shkuara ishin thuajse të munguara, ndërkohë që pati kritika dhe ndoshta kishte mundësi më të mdha të pashfrytëzuara. Por nuk kishte Çakorr, Zajednicë, batica dhe zbatica siç kishte në qeverisjet e mëparshme. Nuk pati as korrupsion, së paku në përmasat e skandaleve të politikanëve opozitarë, të cilët ende nuk kanë reflektuar. Ka angazhim më të madh për drejtësi dhe barazi në shtet e në shoqëri. Në raport me ndonjë qeveri injorantësh, qeveria Kurti dhe qeverisja e katër viteve të shkuara ishte shumë më e strukturuar dhe më e mençme.
Së treti, ka një problem për të cilin Kosova është e ndarë. Sidomos opozita e trajton problemin nëse Kosova duhet të pajtohet plotësisht me ndërkombëtarët apo duhet të këmbngulë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit. Ky moment duhet sqaruar. Pavarësisht disa gabimeve të zotit Kurti në këto marrëdhënie, si me rastin e Blinken, qëndrimi i tij i ka dhënë Kosovës identitet shtetëror, të cilin nuk e dëshirojnë në Beograd, në Tiranën zyrtare dhe në disa qarqe euro-amerikane, me të cilat Kurti është përballur fort. Kursi i opozitës, natyrisht jo si tërësi, shkon drejt kompromiseve edhe me territore. Kursi i qeverisë Kurti shkon drejt sovranitetit. Dhe nuk duhet harruar: – Kompromisi i humb territoret dhe pasuritë e Kosovës për gjithë jetën, jokompromisi i humb aleatët vetëm për pak kohë. Prandaj Kosovës i duhet një qeveri e një mazhorancë e pakompromis. Sidomos në kohë të tilla të turbullta.
Për këto arsye edhe kësaj radhe do të doja që mazhoranca e sotme të fitojë mbi 50 përqind të vendeve në parlamentin e ardhshëm. Nëse do duhet të ruhen balancat, ato mund të ruhen në zgjedhjet lokale. Por për Kosovën e të ardhmen e saj ka shumë rëndësi një fitore e Lëvizjes “Guxo” dhe Vetëvendosjes me vota plebishitare. Kam shumë besim te intuita e qytetarëve të Kosovës! Prandaj dhe jam shumë optimist se kjo do të ndodhë!