Qyteti i Durrësit është zgjuar i tronditur këtë ditë të fundit të vitit pasi një i moshuar është gjetur i vdekur në banesën e tij. Ai është 82-vjeçari Paulin Gina, i cili sipas të dhënave paraprake ka disa plagë thike në pjesën e fytyrës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen 16 të qytetit. Ai jetonte i vetëm në banesë, pasi të afërmit i kishte në Itali. Ishin familjarët e tij, të cilët e kanë telefonuar, por 82-vjeçari nuk është përgjigjur.
Familjarët më pas kanë telefonuar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në banesë dhe e ka gjetur të moshuarin pa shenja jete. Policia dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit.
Ende nuk dihen motivet e mundshme që mund të kenë shtyrë autorin ose autorët në masakrimin brenda banesës të një të moshuari 82-vjeçar.