Ditën e sotme Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar të porsalindurit që kanë ardhur në jetë në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”.
Në orën 12:00 në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” erdhën në jetë dy binjakët Ares dhe Rajd. Ndërsa pas mesnate kanë lindur edhe 6 foshnje të tjera të cilët gëzojnë shëndet të plotë.
Në fillim Koçiu vizitoi fëmijët e lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” duke iu dhënë edhe çekun e bebes. Më pas ajo vizitoi edhe fëmijët e lindur në maternitetin “Koço Gliozheni” ku në natën e Vitit të Ri kanë ardhur në jetë 2 foshnje.
Ajo ka falënderuar stafin e mjekëve dhe infermierëve që ishin në shërbim të nënave dhe fëmijëve në natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të Vitit të Ri.
Bonusi i bebes përfitohet vetëm nga familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri duke mbështetur në masën 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 000 lekë për fëmijën e dytë, 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë. Në buxhetin e vitit 2025, për Programin e Bonusit të Bebes është akorduar një fond prej 2.2 miliardë lekësh, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj.