Ambasadori në largim i SHBA në Serbi, Christopher Hill, duke shpjeguar arsyet e vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara (SHBA) ndaj industrisë së naftës të Serbisë (NIS), deklaroi “se Rusia filloi të përdorë rafinerinë në Serbi për të financuar luftën” dhe theksoi se ai vend “duhet të largohet nga NIS”.
“Për sa i përket NIS, ka vite që ka shqetësime, sepse Rusia bleu të vetmen rafineri të madhe të naftës në Serbi. Ne e kemi ndjekur këtë për një kohë të gjatë, shumë kohë përpara agresionit rus kundër Ukrainës, dhe jemi të shqetësuar se Rusia po përdor energjinë dhe burimet energjetike dhe po nxjerr përfitime politike prej saj për vete.
Kjo vazhdoi edhe pas fillimit të luftës në Ukrainë. Prandaj, Rusia filloi të përdorë rafinerinë në Serbi për të financuar luftën. Përfundimi ishte se Rusia duhet të largohet nga NIS dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë tani”, tha Hill në emisionin “Intervist” në Insider TV shkruan Danas.rs.
Hill tha se qeveria amerikane ishte shumë e shqetësuar kur ndodhi kjo shitje dhe se Serbia praktikisht kishte humbur sovranitetin mbi naftën e saj dhe përfundoi në një situatë ku Rusia po përcaktonte se sa naftë do të rafinohej.