Lideri i opozitës Sali Berisha ka marrë pjesë në 34-vjetorin e themelit të Partisë Demokratike Fier.
Berisha u shpreh se në 34 vite ata kanë tranformuar Shqipërinë në vendin e inciativës së lirë të qytetarëve.Ai theksoi se Shqipëria nga vendi i izolimit të plotë u integrua në Këshillin e Europës në NATO dhe u hap ndaj gjithë botës.
“Ne ia dolëm që në vitin 2008, shqiptarët më të keqpaguar në kohëra, të dalin në krye për rrogat dhe pensionet në të gjitha vendet e rajonit. Dhe ky ishte një kërcim i madh. Miqtë e mi, PD në vitin 2013, humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë duke garantuar një proces zgjedhor të drejtë.
Por në pushtet erdhi njeriu me lidhjet më të fuqishme me krimin e diktaturë së shkuar dhe krimin e këtyre viteve. Pas vitit 2013, me shpejtësi në Shqipëri u instalua narkodiktatura, e cila hapi çdo ditë e më shumë një gropë të zezë të tmerrshme në këtë vend, nga e cila largohen çdo ditë shqiptarët.
Ky regjim largoi nga Shqipëria më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo fatkeqësi natyrore në ndonjë vend tjetër të planetit. Dhe ky largim ndodhi në 10 vite. PD pësoi gjithashtu në 3 vitet e fundit tronditje të mëdha. Ndaj saj u bënë përpjekje të padrejta, të pandershme ta asgjësonin, ta përçanin, t’i emëronin kryetarin, de facto ta tjetërsonin si forcë politike. Por, pas një procesi herë-herë dhe kalvari, sot jemi më të bashkuar, më të fortë, më në këmbë se kurrë.
Kjo sepse ne jemi njerëz që bashkohemi në të vërtetat që besojmë. Kjo është arsyeja kryesore. Ne nuk udhëhiqemi nga ideologjira ekstremiste. Ne udhëhiqemi nga respekti i dinjitetit njerëzor, i investimit dhe kontributit të secilit në ëktë proces. Ne nuk pranojmë kurrë të shkelmojmë mbi kontributin e tjetrit në familjen tonë.
Ne udhëhiqemi nga një parim madhor, toleranca. Këtu me datën 20 Shkurt, kur breshëritë korrnin jetë të rinjsh, demokratët nuk rrëmbyen, por demokratët qëndruan dhe me tolerancën e tyre, bënë pluhur përpjekjet e tyre për të krijuar republikën e Vlorës, siç u grupuan forcat enveriste.”, tha Berisha.