Presidenti i Ukrainës në një intervistë me Bloomerang nga Forumi i Davos u shpreh se vetëm Donald Trump dhe Xi Jinping mund të shtyjnë Putinin drejt fundit të luftës në Ukrainë.
“Unë mendoj se Xi Jinping mund ta shtyjë Putinin drejt paqes. Presidenti Trump është më i forti, dhe po ashtu edhe Xi Jinping. Nuk mendoj se ka të tjerë që mund ta bëjnë këtë, sepse ekonomia e Putinit, pas të gjitha sanksioneve, është shumë e varur nga Kina dhe vendimet e liderit kinez. Ndoshta ka kuptim që Trump dhe Xi Jinping të kenë një dialog se si të ushtrojnë presion bashkërisht ndaj Putinit”, tha Zelensky.
Ai nënvizoi që nuk do të zhvillohen negociatat paqësore pa pjesëmarrjen e Ukrainës, si dhe janë të gatshëm që ti japin fund luftës. Zelensky shtoi se Putini është “i sëmurë me idenë për të shkatërruar dhe pushtuar Ukrainën”.
Ai u pyet nëse do të negocionte me Putinin dhe u shpreh se është i gatshëm për të sjellë paqen.
“Nëse Ukraina ka një shans për t’i dhënë fund kësaj lufte me një paqe të drejtë, atëherë sigurisht. Unë jam presidenti i Ukrainës, do të bëj gjithçka për ta sjellë atë më afër paqes. Nëse ka një marrëveshje të drejtë, nëse presidenti Trump, besoj, mund të na garantojë siguri të fortë dhe të pakthyeshme, atëherë ne do të shkojmë në rrugën diplomatike. Unë e kuptoj se pa Rusinë është e pamundur t’i jepet fund kësaj lufte diplomatikisht.”, tha presidenti ukrainas.