Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, theksoi rëndësinë e kujtimit të Holokaustit gjatë aktiviteteve të organizuara për Ditën e Kujtesës.
Ai theksoi se Holokausti është një dëshmi e urrejtjes dhe diskriminimit, dhe Shqipëria është një nga shembujt më të guximshëm që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Mes një Evrope të mbyllur dhe të pushtuar, Shqipëria u bë një oaz shprese. I vetmi vend i pushtuar evropian ku pas Luftës së Dytë Botërore popullsia hebraike u shumëfishua. Ndoshta duhet të ishte dhe më shumë, por respekt dhe për atë që është bërë. Ata që arritën të gjenin strehë në këtë tokë shpëtuan nga kthetrat e vdekjes sepse këtu gjetën mbrojtje dhe ngrohtësi nga një popull që mbante dhe respektonte besën, një fjalë e shenjtë, një angazhim i pakontestueshëm, një premtim që çdo shqiptar e mban deri në fund të jetës”, tha Hasani.
Ai apeloi për edukimin e rinisë dhe angazhim për të ndaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës.
“Dhe sot, ndërsa ndezim qirinjtë përkujtimor, secili nga ata është simbol i një angazhimi. Angazhimit tonë për të mos harruar, për të mos heshtur dhe për të mos lejuar që e keqja të triumfojë”, u shpreh Hasani.