Debat dhe akuza të forta në seancën e sotme të Kuvendit. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u përfshi në replika me demokratët që kërkojnë që shqiptarë jashtë vendit, pa dokumente shqiptare, të votojnë në 11 Maj.
Manja tha se kjo kërkesë është e papranueshme, sepse Kodi Zgjedhor parashikon se çdo shqiptar për të ushtruar të drejtën e votës duhet të jetë i pajisur me pasaportë biometrike, ose kartë identiteti të shtetit shqiptar.
“Tani që të jesh shtetas shqiptar ju e dini se ka dhe detyrime. E drejta e votës është e drejtë kushtetuese që nuk mohohet, ama që të ushtrohet kjo e drejtë duhet ose pasaporte ose kartë identiteti, sipas kodit zgjedhor.
Në respekt të atij shteti duhet të kesh dokument të atij shteti. Ju thoni s’ka problem t’i jepet e drejta e votës me një dokument identifikim nga çfarë kanë në botë. Është respekt për shtetin, ju në vend që të votoni ndryshimet për votën e diasporës, e bllokoni sepse ju nuk e keni dashur asnjë herë votën e diasporës.
Lërini këto pallavra. Lërini sofizmat juridike. Kush disponon dokument identifikimi shqiptar të skaduar sigurisht mund të votojë” tha ai. “Lërë more dorën aty, një fosile…fosile politike”-reagoi Manja i irrituar drejtuar demokratëve.