-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Grenell, Kurti dhe Kosova

Kryesoret

Richard Grenell, një nga figurat politike më të njohura në administratën e tanishme të Presidentit Trump, ndoshta njeriu i tij më me peshë  për Ballkanin, befas, në kulmin e fushatës zgjedhore politike në Kosovë, bëri ndërhyrjen e befasishme, që për shumë kënd është e pamatë, e, për më tepër në kohë të pazakontë, sipas së cilës, qeveria Kurti, dhe ai vetë si kreu i saj, janë në strukturat dhe figurat më pak të besuara nga qeveria amerikane, e, jo vetëm e tanishmja, por duke filluar që nga koha e presidentit Klinton.

Një deklaratë që, si duket, ka pasur besimin e institucioneve të rëndësishme në SHBA dhe, nga ana tjetër, sidoqë të trajtohet nga diplomacia në Kosovë, është një gur i rëndë në punët e bëra, apo që do të mund të bëjnë më pas.

Me naivitet disa emra të njohur të shkencës dhe të  politikës në Prishtinë, të njohur për lidhjet e afërta me qeverinë e tanishme, e trajtojnë këtë deklaratë. Qëndrimet se deklarata ka nisje burimore nga Beogradi dhe aleanca e Vuçiqit me forcat opozitare të Kosovës, që, tash sa ditë po trajtohen si antikombëtare në leksikun politik të fushatës, nuk janë serioze, për më tepër, të dëmshme.

Janë vazhdë e mendimit të hedhur nga vetë Kurti dhe pasues të lartë të tij, sipas së cilëve vetëm kush voton Lëvizjen VV është atdhetar, të tjerët janë antikombëtarë, e, më tej, tradhtarë të kombit. Një forcë politike që trajton opozitën si antikombëtare, ajo nuk e ka kuptuar thelbin e demokracisë.

Po si është e mundur që një figurë e njohur si Grenell, i njohur për afërsinë e tij me Presidentin Trump, ushtrues i disa detyrave të rëndësishme në të shkuarën në diplomaci, dhe tani me rol të ndjeshëm në zgjidhjen e konflikteve, pra, përsëri diplomat, “lëshon gojën”, ndërhyn kaq befasisht, ashpërsisht dhe, në fund shpall një divorc politik mes qeverisë së tanishme në Kosovë dhe SHBA?

Duhet pranuar se, koha e diplomatëve amerikanë të tipit Kisinger, që , duke buzëqeshur të fusnin ujët nën dyshek, ka mbaruar. Si ndodhi edhe në administratën e parë të Presidentit Trump koha e bindjes politike përmes diplomacisë, e lodhjes së kundërshtarit përmes ideve, ka shkuar. Askush, tash e tutje, nuk do të mundohet të të bind.

Administrata e tanishme e ka pranuar Republikën, por duke menduar monarkinë e shkurtër katër vjeçare, ndoshta me të drejtë trashëgimie financiare. Grenell është njëri ndër ata njerëz të oborrit presidencial, që, duke mësuar nga lideri i tij, e quan si detyrë të jetë i ashpër, i pazakontë. Ai nuk pret deri sa të bindesh, por të detyron të bindesh.

Kjo nuk ndodh vetëm me administratat e shteteve të vogla dhe debitore deri në fund ndaj tyre, si është Kosova, liria e së cilës, e, më tej, pavarësia e saj ka në themel mbështetjen amerikane. Edhe në marëdhëniet mes institucioneve të rëndësishme amerikane dhe evropiane, në mandatin e shkuar të Presidentit Trump, të deleguarit nga ai ishin të ashpër, nganjëherë mos koordinues, me dëshirën që ngërçet e mëdha t’i zgjidhnin shpejt e shpejt, edhe pse ato zgjidhje nuk mund të ishin afatgjata.

Sidoqoftë, edhe pa këtë ndërhyrje “elefantësh”, marëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA, por edhe BE, në vitet e fundit po shkojnë mes përplasjeve të mëdha, nganjëherë acaruese deri në majë, dhe pak herë të qeta dhe mbështetëse.

Në Kosovë, prej fillimit të mandatit të qeverisë Kurti, ndoshta krejtësisht e pa arsyeshme, u rrit fryma  izolacioniste, si ndjenjë e vetëvendosjes në problemet e mëdha politike dhe kombëtare, duke rritur shtatin e politikës së tyre tej së vërtetës dhe, për më tepër, në mohimin e mbështetjes ndërkombëtare. Politika e jashtme e Kosovës, që nuk ishte “ as mish, as peshk”, por e lënë në duart e një figure që mbarte shumë nga e shkuara e babait të saj, por pak , ndoshta aspak nga kultura politike e diplomatike, më shumë se gjithçka tjetër, vuri në dyshim identitetin e tyre si individ dhe si kolektivitet, dyshimin nëse janë stabilë dhe të qëndrueshëm, e, në fund të fundit, çka ishte edhe më e rënduar, mjegullimin e besimit, nëse si pjesë e një kombi, në një shtet të porsaformuar, ishin apo jo të pjekur.

Grenell solli mesazhin e hapur, sipas të cilit, qeverisja e mëtejshme e Albin Kurtit dhe Lëvizjes VV, për administratën amerikane është një problem, sepse , sipas deklaratës së tij, ka të bëjë me një qeveri të pabesueshme, që, domosdo duhet të ndërrojë kursin e saj, në të kundërt, përplasjet do të jenë dhe më të ashpra dhe izolimi politik, diplomatik dhe sanksionet ekonomike mund të forcohen.

A do e dëmtojë kjo deklaratë, e ardhur në pikun e fushatës elektorale, pozicionin politik dhe besimin qytetar ndaj qeverisë Kurti? Apo do të jetë përsëri kjo forcë politike dominuese në skenën e Kosovës, edhe pas shpalljes hapur të distancimit amerikan prej saj, të realizojë objektivin e 500 mijë votave në përkrahjen e qeverisjes?

Edhe pa deklaratën e zotit Grenell, është e pranuar se, për qeverinë Kurti dhe Lëvizjen VV do të jetë tashmë e vështirë të ketë përsëri më shumë se gjysmën e parlamentit të Kosovës.

Qeverisja e tanishme dy gjëra i ka “realizuar” si askush tjetër më parë: ajo përfundoi, për herë të parë mandatin e plotë të saj, dhe, së dyti, nuk realizoi asnjë nga premtimet madhore që kishte bërë. Këtë e di edhe vetë kryeministri Kurti, edhe njerëzit pranë tij, edhe analistë pro qeveritarë, edhe ministrat e kabinetit, disa nga të cilët mbetën të panjohur, të tjerë u përfshinë në afera. Kjo është edhe arsyeja kryesore që tani, në këtë fushatë, Kurti ka shpallur divorcin me mediat që kanë mendim ndryshe, të cilat i ka bojkotuar, jo vetëm ai, por i gjithë stafi i tij; ka shpallur shumë armiq njëherësh, opozitën, mediat, sistemin e drejtësisë, të burgosurit politikë nga strukturat drejtuese të UÇK-së në Hagë;  përdor një leksik shumë larg nga diskurset e tij të njohura politike, ka zhargon meskin në tubimet e mëdha, duke mos shpallur asnjë nga objektivat e qeverisjes së ardhshme.  

Njeriu i pritur si më i thjeshti nga të thjeshtët, tani mirëpret këngët që ia këndojnë ministrat, edhe kur janë me zë të çjerrur, kur e miklojnë si babai i Kosovës, si njeriu që ka bërë atë që askush tjetër nuk e bëri në historinë e Kosovës. Modestia e dikurshme është terratisur.

Të gjitha këto, sëbashku me largimin e mijëra votuesve të para katër viteve prej bashkëpunimit politik dhe zgjedhor me Listën Guxo të drejtuar dikur nga Vjosa Osmani, do të sjellin bjerrje të elektoratit, shumë më tepër se sa ashpërsia e deklaratës së zotit Grenell.

Asnjë njeriu të politikës nuk i pëlqen t’i detyrohet diçka politikanëve bashkëkohas. Kurti i shpërfill ata në kufijtë e së pamundurës. Por, duhet pranuar se, është krejt e mundur që pikërisht me ndonjërin nga kundërshtarët e tij të sotëm politikë, të shpallur si miza, antikombëtare, gjeneralë të vetëshpallur do të detyrohet nesër të bëjë marrëveshje bashkëqeverisje.

Dhe, do apo nuk do, do të ketë mbi kokë pikërisht atë që kishte edhe 5 vite më parë. Por, nëse loja e atëhershme, me shkrirjen e qeverisë dhe kalimin në zgjdhje të reja politike ishte gjetja e duhur, gjërat e duhura ëshë vështirë të përsëriten në harkun e pak viteve të politikës. Në fund të fundit, ky është njëri ndër postulatet e politikës!

Nëse pesë vite të shkuara, në fillimin e mandatit të parë, ndërprerë pikërisht nga ndërhyrja e Grenell në skakierën politike të Kosovës, e më pas, kishin një “armik” , që përmblidhej më shumë se gjithçka tjetër në emërin e Hashim Thaçit, tani alibia ka rënë, gjyqi që po zhvillohet në Hagë dëshmon përditë e më tepër se është gjithçka politike, jo vetëm me frymëzim, por edhe me dosje të institucioneve të strukturave të sigurisë së Beogradit, si edhe me mbështetje të heshtur të strukturave në Kosovë.

Deklarata e zotit Grenell do të ketë pak ndikim në votimet e 9 shkurtit në Kosovë. Votuesit e Albin Kurtit janë përgjithësisht të rinj, që nuk e kanë përjetuar luftën, ose në memorjen e të cilëve lufta është diçka abstrakte. Ata, prej shumë viteve, janë mbushur me idenë e frymëzimit politik përmes krijimit të një armiku, që, më shumë se kudo tjetër, fillimisht ishte në Koovë, e tani përtej kufijve të saj. Mirënjohja, që duhej të ishte vlerë, për mentalitetin e tyre është tradhti ndaj Kosovës.

Po ashtu, një pjesë e ndjeshme e strukturave të Lëvizjes VV kanë qenë pjesë edhe e strukturave të tjera politike dhe tashmë kanë Lëvizjen VV si strehë të fundit.

Këto nuk ndryshojnë. Për to dhe të rinjtë apo mbështetësit e skajshëm, çdo deklaratë e ardhur kundër qeverisë Kurti do të nxitë verbërinë apo mbështetjen politike. Secili në veçanti dhe të gjithë bashkë , kërkojnë kauzën e tyre dhe askush nuk ka forcë të ndërhyjë aty, qoftë ky edhe një figurë e njohur e politikës aktuale amerikane.

Edhe më heret Grenell dhe Kurti kanë pasur përplajset e tyre. Kjo nuk është e para. Ndoshta nuk do të jetë as e fundit.  Nëse SHBA, përmes Grenell , deklaron se nuk pranon më një qeveri të udhëhequr nga Kurti, pesë vitet e shkuara, duam apo jo, e kanë zbehur rolin e aleatit më të madh të shqiptarëve në Kosovë, e jo për fajin e tyre.

Një brez i lidhur me Kurtin dhe politikën e tij, çuditërisht, përmes botëkuptimeve të vjetra synojnë të ndërtojnë realitete të reja. Kjo nuk është një qasje idealiste e problemit themelor, por as radikale e tij. Është njëra ndër gjërat më të ndjeshme aktualisht të jetërsimit të shtetit në Kosovë dhe rrezatimit të tij në politikën legjitime, e jo sprovë e entuziazmit paranojak e mbisundimit të së keqes në politikën ndërkombëtare demokratike ndaj Kosovës.

Idea e para 5 viteve e Kurtit, se në kabinetet perëndimore është shtruar harta e Kosovës dhe në zyrën ovale po përgatiten ta ndajnë atë me thika, duke mos qenë e njëmëndtë, të paktën është e dëmshme. Për të mos shkuar më tej.

Në Kosovë, është kultivuar ngulmueshëm, tejet ngulmueshëm, mendimi se pavarësia e Kosovës është një çështje që ka të bëjë vetëm me Kosovën, me asgjë jashtë saj, e përmes tyre është krijuar një grup besnikësh, më shumë ndaj liderit të tyre, Kurtit, sesa ideve që janë përcjellur, se ata, vetëm ata e askush tjetër,  mund të jenë rendësit e lirisë së Kosovës.

Sidoqoftë, edhe pse në një kohë të befasishme, e, për shumë kënd të pazakontë, deklarata e zotit Grenell është një këmbanë që duhet dëgjuar, edhe nëse do të vazhdojë qeverisja e zotit Kurti. Në fund të fundit, administrata e re në SHBA ndryshon thelbësisht nga ajo e zoti Biden, dhe kush e kupton në kohën e duhur këtë, ka edhe ai kohën e tij për të ndryshuar atë që është e domosdoshme, thelbësore dhe thellësisht në dobi të Kosovës./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit