E kam shkruar në analiza apo vrojtime të ndryshme se, shpesh herë djalli i kryengritjes merr pamjen e engjëllit të reformës. Që nga dita kur shefi i tanishëm i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi u bë pjesë e politikës, si prurje e Bashës, atë , asnjëherë, as për njerëzit e tij më të afërt apo idetë që mund të ketë e djathta në Shqipëri, nuk e ka brerë ndërgjegjja dhe as që është i shqetësuar. Politika ka qenë shansi i tij i fundit, dhe, mëkatet brenda llojit e bënë atë të jetë mos besues ndaj gjithçkaje që shkon përtej mendjes së tij, për më tepër, përtej asaj që mendon se mund të jetë në shërbim të tij.
Në dy ditët e fundit, ashtu si edhe më parë, në opozitën e tashme, është shfaqur kundërshtia e zhvillimit apo jo të primareve. E trumbetuar si një zgjidhje demokratike dhe frymë dhënëse, ajo është quajtur si thellësi e dalë nga normat demokratike dhe si një formë për të luftuar absolutizmin brenda partisë, në secilin rast kundër tiranisë së shefit të partisë.
Bardhi, edhe herë të tjera, këto ditë në përsëritje, është kundër zhvillimit të primareve. Berisha, nga ana tjetër, bën sikur do i zhvillojë ato domosdoshmërisht, si një normë e “ kushtetutës” së partisë së tij, të cilën, kur i është dashur e ka fuqizuar, duke rritur veten, e , kur nuk i është dashur, e ka hedhur në një cep të zakonshëm të harresës.
Përse është kjo përplasje, pikërisht e forcuar tani, kur pas 3 muajve vendi do të jetë në zgjedhjet politike të 11 majit, dhe kur, fati i opozitës, e sidomos i shefave të saj mendohet se do të varet pikërisht nga përfundimi i tyre?
Bardhi ka qenë kundër edhe para një viti për zhvillimin e primareve. Ka qenë i qartë mendimi i tij , si dhe e dukshme frika e tij nga zhvillimi i tyre.
Berisha ka qenë pro zhvillimit të primareve, mendimi dhe synimi i tij ka qenë po ashtu i qartë, duke u ndjerë i sigurtë se, përmes tyre, jo vetëm që mund të rritet autoriteti i tij, edhe ashtu drejt absolutizmit, por edhe përzgjedhja do të jetë e tij.Ndoshta “ primarja” e tij më e dukshme dhe më domethënëse ishte ajo mes Bashës dhe Olldashit, ka kandari rëndoi nga deshi vetë ai, dhe, dua të besoj se tani duhet të jetë penduar nga e rëndoi peshën e tij.
Në pamjen e parë gjithçka duket si një diskutim normal mes dy njerëzve, në dukje, më të fuqishëm të opozitës. Duket sikur opozita është hapur, e lejon mendimin ndryshe, e , për më tepër, nga përfaqësues jo thjeshtë të dy brezave nga mosha, por edhe nga rruga që u futën në këtë të quajturën “ diversitet” brenda opozitës.
Në fakt është krejt ndryshe.
Bardhi, si edhe më parë, ka drojën e primareve, jo thjeshtë për vete, sepse mund të ketë një marrëveshje të përkohshme paqtimi mes tij dhe Berishës , dhe ai të vendoset në listat e vendeve të sigurta, të cilat aq shumë i deshën të dyja palët. Nëse do të ndodhte që, edhe të gjithë të deleguarit në qarqe, ashtu si kryetarët e degëve të futen në primare, atëherë qenia e tij në listat e deputetëve mund të trazohet. Në Fier ai është thuajse i panjohur, i paqartë nga shumica e anëtarëve të opozitës, të cilët, një herë e panë duke u versulur me hunj kundër njerëzve të Berishës, pastaj duke blinduar dyert, më pas si kundërshtari i tij brenda parlamentit, si “ babai i Zenit”, më pas të ia kthejë ndryshe dhe të përqafohet, si në atë puthjen e fundit prej pushti të Judës.
Por, përmes një marrëveshje të heshtur, është krejt e mundur që Berisha do e lërë në listën e vendeve të sigurta. Por kjo është e pamjaftueshme.
Bardhi është rikthyer në prehërin e Berishës, jo për t’u rritur aty, por për ta kafshuar. Nuk është kthyer i vetëm, por bashkë me një grup deputetësh, që pasi u larguan nga prehëri i Bashës, gjetën rehati në një prehër tjetër, gjithnjë me marrëveshjen se, në zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vende të sigurta të listës së deputetëve.
Këto njerëz janë armata e Bardhit. Të bindur. Të heshtur. Në pritje të gjahut. Të rritjes së pasurisë së tyre përmes deputetit. Pa asnjë lloj ideje dhe vizioni. Pragmatistë të dorës së parë. Pa asnjë iluzion se mund të ketë ide, mendim të pavarur apo dinjitet politik dhe njerëzor.
Në primare këto njerëz do të ishin krejt jashtë lojës. Do të kishte një fund të hidhur kariera e tyre politike. Ata, si ndodhi edhe në primare ë tjera, mund të kishin votat e duhura, por fletët nuk do i numëronin ato. Për shembull, në Fier, do të vinin gjithë njerëzit e Xhelal Mziut duke votuar si “ myzeqarë”.
Një Gazmend Bardh pa këtë rrjetë memecësh, por në petkun e deputetit, është kufomë politike. Shpirt i vdekur. Që nuk mund të përballet me asnjë nga të besuarit e hershëm të grupit Berisha, që, tani, si kurrë më parë, kanë rastin e pritur për t’i nxjerrë jashtë loje. Nuk do të ishte kryetar i Grupit Parlamentar, e ndoshta në asnjë komision të Kuvendit.
Berisha e di më së miri të gjithë këtë. Një jetë e gjatë në politikë e ka mësuar se, dhënia e goditjes duhet bërë në çastin e duhur, si zakonisht “ sipas normave”, pa asnjë hezitim, edhe kur gjërat duken se po sheshohen. Këtë e ka bërë me të gjithë që ka dëbuar. Që nga Neritan Ceka, Zogaj, Imami, Ruli, Kalakula, Baleta, Azem Hajdari, Eduard Selami, Pollo, Basha…, ( më shumë janë të dëbuarit se ata që janë brenda), dhe nuk do të hezitojë ta bëjë edhe në këtë rast.
Thjeshtë po luan me nervat e tyre dhe, në këtë rast, mirë bën. Besnikëria duhet provuar përmes ankthit.
Ai e di krejt mirë se, edhe në kohë të tjera, loja e maces dhe e miut është më tronditëse se gjithçka tjetër për ata që presin.
Nuk është pra çështje brezash, diversiteti apo mendimi ndryshe. Është thjeshtë një përplasje mes një ushtrie në shthurje, që palën tjetër e konsideron të rrezikshme.
Kushdo e di se këto tre muaj të fundit janë vështirë të përballueshme edhe për primaret. Nëse Berisha do të vendosë në çastin e fundit t’i bëjë ato, atëherë do të bartë edhe pasojat e një politike që nuk është as mish, as peshk, as shpend. Por që atë vetë do e bjë edhe më të fortë, pavarësisht moshës, halleve dhe derteve.