Laura Pula, prokurore dhe koordinatore nacionale e zgjedhjeve ka deklaruar se krahasuar me vitin 2010 janë mbajtur zgjedhjet më autokrate në Kosovë, tani ka evoluar zbulimi i kryerësve të veprave penale në zgjedhje. Ajo ka thënë seKosova a arritur të jetë shtet me demokraci elektorale, e madje edhe të përmendet në Këshillin e Sigurimit.
“Ka evoluar shumë edhe mënyra edhe zbulimi i kryerësve të veprave penale, por ka evoluar shumë edhe vetëdijesimi i qytetarëve në raport me keqpërdorimin e votës. Krahasuar me 2010-tën kur zgjedhjet kanë qenë pothuajse më të këqijat, autokrate për Republikën e Kosovës dhe ndër vite kemi arritur të jemi shtet demokrat, me demokraci elektorale. Kjo është arritje e madhe ndër vite dhe të jemi objekt i përmendjes në Këshillin e Sigurimit nuk është pak për shtetin e Kosovës”, , tha ajo në KTV.
Ajo ka thënë se ato që nuk raportojnë parregullsitë brenda vendvotimit do të jenë përgjegjës për mosveprim në kohë.
“Ne i kemi të shpërndarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës prokurorët kujdestarë. Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë i kemi dy prokurorë kujdestarë, në të gjitha komunat tjera që janë në kuadër të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës janë gjithashtu janë prokurorë me ndërrime, ngase kujdestaria në nivel institucioni sot është nga ora 07:00 deri në orën 23:00. Personat përgjegjës që janë të zgjedhur dhe e monitorojnë procesin e votimit e kanë për obligim ta raportojnë çdo parregullsi edhe brenda vendvotimeve dhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata vetë do të jenë përgjegjës për mosveprim në kohë”, ka thënë Pula.