Policia italiane ka arrestuar një 40-vjeçar shqiptar pasi akuzohet për trafik droge. Nërsa nëna e tij është proceduar në gjendje të lirë.
Sipas mediave italiane, shqiptari i cili ka rezultuar pa precedentë të mëparshëm penal është arrestuar pas një denoncimi të bërë nga gruaja e tij K.E., 37 vjeç për dhunë në familje.
40-vjeçari me iniciale K.G., akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikim, përndjekje, posedim pa leje të municionit dhe dhunë në familje.
Gjatë operacionit është shoqëruar në polici edhe nëna e 40-vjeçarit, shqiptarja me iniciale K. H., 59 vjeçe, pensioniste dhe banuese në të njëjtin qytet, për bashkëpunim në tregtimin e drogës.
Menjëherë policia ushtroi kontroll në banesë dhe u gjetën 3 pako kokainë me peshë 3,264 kilogramë, 13 mijë euro cash, që mendohet se ishin të ardhura të paligjshme, si dhe 52 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
Gruaja e 40-vjeçarit u gjet me shenja në fytyrë dhe trup nga dhuna fizike në urgjencën e Spitalit Civil të Noventa Vicentina, ndërsa ai u izolua në Burgun e Vicenza, në pritje të procesit hetimor dhe gjyqësor.