Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se nuk i duket normale që të kontrollohet shtëpia e Arben Xoxës.
Koçi nënvizoi se janë harruar hetimet për pasuritë e familjes Berisha në Holandë, Bruksel dhe Belgjikë.
“Mua s’më duket normale që banesa e Arben Xoxës, ish-pedagog, të hetohet. Kjo duket si një pushkatim pas vdekjes, ndërsa janë harruar apartamentet e familjes që drejton opozitën në Holandë, Bruksel e Belgjikë. Këtë duhet ta bëjë drejtësia pa iu trembur syri nga askush,” u shpreh Koçi.
Ai theksoi se e mbështet SPAK dhe institucionet e drejtësisë, dhe duhet që integrittei moral i tyre të mos vihet në dyshim.
“Kam qenë dhe jam një nga deputetët që ka mbështetur SPAK dhe institucionet e drejtësisë, të cilat e kanë thyer mitin e pandëshkueshmërisë. E pafalshme që në Kuvend deputetët kanë goditur oficerët dhe punonjësit e gardës, pa u marrë asnjë masë. Këto janë veprime penale që duhet të ndëshkohen. Ne e mbështesim SPAK dhe GJKKO, duke e paguar me lëkurën tonë, por duhet që integriteti moral i atyre institucioneve të mos vihet në dyshim,” tha ai.