Unë e kam kuptuar se klasa politike shqiptare nuk e do aq fort presidentin Trump, dhe e censuron, puna e saj, por unë mendoj se ka trajtime që ai bën që duhet t’i dëgjojmë me shumë kujdes!
Se mund të na duhen!
Mos bëhemi si ajo dhija e zgjebosur që ka bishtin përpjetë!
Për vete e kam thënë: Rilindasit na kanë porositur mos u bëni delirantë dhe kujtoni se mund të merreni me politikën e fuqive të mëdha. Shikoni këto punët e vogëla të rregulloni Shqipërinë.
Nuk kemi as kurriz, as këllqe, të jemi shpëtimtarët e botës. Mund ta ulim pak zërin!
Se goja llap, por shpina dap, pastaj!
Këtë e kanë quajtur ata vesin e shqiptarëve!
Na duket se mund të drejtojmë Këshillin e Sigurimit, a të negociojmë midis Kievit dhe Moskës, a ku di unë të zgjidhim çështjen e refugjatëve për Evropën, a ta bëjmë teqenë e Skraparit si Vatikani, ti shpallim luftë Iranit, etj.
E bëjmë dot? Kjo është puna.
Se ja i tha Trump presidentit të Ukrainës dje: Cfarë ke ti vëlla, je i mërzitur që në bisedimet që bëj me rusët ti nuk je? Je i mërzitur?
Dakord. Por, pse ti do të më mësosh mua? E bën dot luftën vetëm? Pa mua e bën dot? Jo! Atëhere më ler mua të bëj politikën time, se unë nuk të thashë gjë kur e fillove luftën.
E mendove mirë kur e fillove?
I dilje dot zot?
Se për mua nuk duhej ta kishe filluar fare.
Ja këto pak a shumë raportojnë mediat ndërkombëtare se i tha.
Me duket se ka të drejtë! Se edhe kërkojnë mbrojtje edhe bëjnë sikur imponohen dhe janë mësuar që nën prozhektorët e një mbështetjeje që jo gjithmonë është efikase, ndonjëherë edhe hipokrite, të kujtojnë se mund të kërkojnë gjëra që i tejkalojnë forcat e tyre.
Hë pra, o fitoje luftën, ose shko bisedo me agresorin. Asnjërën nuk bën dhe nuk ke bërë dot?
Epo atëhere thuaj faleminderit atij që i ke kërkuar ndihmë! Prit ta bëjë ai si e mendon dhe mos i jep mend në publik. Kaq!