Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se pas 4 prillit 2025 nuk do të thërrasë asnjë dëshmitar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kjo u bë e ditur të mërkurën nga prokurori Matt Halling në konferencën për ecurinë e çështjes në këtë rast
“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jogojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha Halling.
Ndërsa, prokurori James Pace njoftoi se për javën tjetër i kanë dy dëshmitarë për të dëshmuar dhe ata janë W4745 dhe W2766.
Ai tha se për muajin mars e kanë një dëshmitar që do ta thërrasin. Kurse, shtoi se do të japin përditësime për dëshmitarët të tjerë që janë planifikuar për mars sapo të kenë përditësimet ata vetë.
“I vetmi dëshmitar i konfirmuar për bllokun e marsit është dëshmitari 04403”, tha ai, duke shtuar se planifikojnë të thërrasin edhe dëshmitarë të tjerë por që nuk i kanë konfirmuar ende për shkak të problemeve me sigurimin e tyre, bashkëpunimin me shtetet e treta, e tjera.
Një kërkesë sipas Rregullës 153 që parasheh pranimin e dëshmive të dëshmitarëve me shkrim, prokurori tha se do ta dorëzojnë brenda kësaj jave ku përfshihen katër dëshmitarë, dy prej të cilëve i ka kundërshtuar mbrojtja.
Pace tha se kanë mbetur vetëm 20 dëshmitarë që disa prej tyre do të kërkohet që të trajtohen sipas Rregullës 153, 155 etj.
Tre të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes, ndërsa Thaçi nuk është i pranishëm fare ashtu si edhe dje për arsye shëndetësore.
Fillimisht, Rexhep Selimi u kyç në seancë duke njoftuar se ka probleme me përkthimin në gjuhën shqipe.
“Më falni që po ndërhyj, por nuk kemi përkthim shqip”, tha Selimi.
Si rrjedhojë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha se do ta zgjidhin këtë çështje, gjë e cila edhe ndodhi. /Betimiperdrejtesi