Banorët e Njësive Administrative Surroj dhe Kolsh u mblodhën përpara Bashkisë së Kukësit për të protestuar kundër gjendjes së degraduar të rrugës Kukës-Surroj, e cila i lidh disa fshatra me qytetin. Ata shprehen të zhgënjyer, pasi ndërtimi i kësaj rruge iu është premtuar disa herë nga ministrja Belinda Balluku, por asnjëherë nuk është marrë një veprim konkret.
Banorët theksuan se gjendja e rrugës përkeqësohet shumë në ditët me shi dhe kërkojnë që të merren masa urgjente. Ata paralajmëruan bojkot të zgjedhjeve të 11 majit, nëse nuk merret një vendim për ndërtimin e rrugës. Pas protestës, Bashkia e Kukësit bëri të ditur se rruga do të ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe është aktualisht në fazën e prokurimit.









