Bashkimi Evropian ka kritikuar Hamasin për refuzimin për të pranuar zgjatjen e fazës së parë të armëpushimit me Izraelin, si dhe vendimin e Izraelit për të pezulluar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë, Anwar al-Anuni, zëdhënësi i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, vuri në dukje se “BE dënon refuzimin e Hamasit për të pranuar zgjatjen e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza”, duke kritikuar gjithashtu “vendimin e Izraelit për të bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza”.
“BE bën thirrje për rifillimin e menjëhershëm të negociatave për fazën e dytë të armëpushimit dhe shpreh mbështetjen e saj të fortë për ndërmjetësit”, shtoi ai.
“Një armëpushim i përhershëm do të kontribuonte në lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura izraelitë , duke krijuar kushtet e nevojshme për fillimin e rehabilitimit dhe rindërtimit të Gazës,” vlerësoi al-Anuni, duke shtuar se “të gjitha palët kanë një përgjegjësi politike për ta vënë atë në praktikë”.









