Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Forumin Global Baku 2025, ku apeloi për një rend botëror ku konfliktet nuk mbahen të ngrira, por zgjidhen me mjete paqësore.
Ai theksoi se përballja me sfidat e sotme kërkon bashkëpunim aktiv rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe guxim për të adresuar kërcënimet ndaj vlerave si liria, demokracia dhe siguria.
“Shqipëria ka kaluar një rrugëtim të vështirë: nga totalitarizmi, në demokraci; nga pasiguria, në anëtarësimin në NATO; nga një ekonomi e mbyllur, në ekonominë e tregut të lirë; nga një vend i izoluar, në një vend që u vizitua nga 10 milionë turistë vitin që shkoi e është sot një vend aspirant për në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka zgjedhur demokracinë dhe beson fort në vlerat e saj. Shqipëria ka zgjedhur Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi beson fort në vlerat Euroatlantike, ka zgjedhur Bashkimin Evropian dhe beson në këtë projekt madhor në shërbim të paqes, sigurisë e mirëqenies. Shqipëria bashkëkohore ka ditur të përbashkojë energjinë e shqiptarëve brenda e jashtë vendit për kthimin e sfidave në mundësi”, tha Begaj.
Presidenti evidentoi sfidat kryesore me të cilat po përballemi.
“Ne kemi nevojë për një rend botëror ku ekonomitë janë të qëndrueshme, ku konfliktet nuk mbahen të ngrira, por zgjidhen, ku shoqëritë forcohen jo nga ndarja, por nga solidariteti, ku paqja ndërtohet e konsolidohet mbi baza besimi e bashkëpunimi. Ne kemi nevojë për guxim dhe vizion të qartë për paqen, për sigurinë, për rritjen ekonomike, për politika që ndryshojnë realisht jetët e qytetarëve tanë”, tha ai.